Kulturë Lindi në Pejë, Timo Flloko në një rrëfim ndryshe sesi u zhvendos...

Lindi në Pejë, Timo Flloko në një rrëfim ndryshe sesi u zhvendos në Vlorë: Babai u dashurua…

Përtej ekranit, karriera dhe jeta e Timo Fllokos është po aq interesante sa edhe përpara ekranit. Si rrallëherë më parë, Flloko ka folur në “Opinion”, për fëmijërinë dhe ka treguar se ka lindur në Pejë e është zhvendosur në Vlorë në moshën 8-vjeçare.

Ai tregoi se babai i tij shkonte si mjek në spitalin e Pejës nga Gjirokastra, por ministria e dërgoi në Vlorë, atje ku u vendos edhe Timo Flloko për një pjesë të madhe të jetës së tij.

Timo Flloko: Deri në 8 vjet jam rritur në Pejë. Kam lindur në Pejë.

Blendi Fevziu: Ke lindur në Pejë?

Timo Flloko: Po.

Blendi Fevziu: Dhe deri 8 vjeç në Pejë? E mban mend Pejën?

Timo Flloko: Sigurisht që e mbaj mend dhe kam shkuar në Pejë shumë herë. Pas, sigurisht, pas viteve ‘90. Babai ka qenë atëherë, kur kanë qenë ato brigadat partizane, ka qenë mjek. Edhe shkoj atje si mjek bashkë me xhaxhain, kur u kthyem… Ne kemi ardhur në kohën kur u prishën marrëdhëniet.

Blendi Fevziu: Po babai ishte me origjinë nga?

Timo Flloko: Gjirokastra.

Blendi Fevziu: Nga Gjirokastra. Dhe nga Gjirokastra punonte në Pejë, ku ti ke lindur?

Timo Flloko: Në Pejë sepse shkuam atje me ato brigadat partizane në ndihmë të Kosovës. Ai ishte mjek, kishte mbaruar Sorbonën dhe u bë drejto i spitalit të Pejës. Xhaxhai ishte presor i shquar.

Blendi Fevziu: Pra shkonin të dy dhe babai dhe xhaxhai në Pejë?

Timo Flloko: Sigurisht.

Blendi Fevziu: Pra dy vëllezër, le të themi nga Gjirokastra, të diplomuar njëri në Sorbonë…

Timo Flloko: Njëri në Itali, në Romë.

Blendi Fevziu: Dhe shkuan në Pejë, për të kontribuuar në spitalin e Pejës?

Timo Flloko: Po sepse ashtu ishin rrethanat, me qenë se ishin në Shqipëri.

Blendi Fevziu: Me dhjetëra mësues kanë shkuar në Kosovë nga Shqipëria që kishin mbaruar shkollat më të mira evropiane, në atë kohë. Dhe deri 8 vjeç u rrite në Pejë?

Timo Flloko: U rrita në Pejë, pastaj në Vlorë…

Blendi Fevziu: Kontaktet e para ti i ke pasur me shqiptarët e Kosovës, fëmijëria, shokët e fëmijërisë?

Timo Flloko: Po. Kështu që kam kujtime entuziaste, shumë të mira.

Blendi Fevziu: Dhe në moshën 8 vjeçare u transferuar në Shqipëri.

Timo Flloko: Në Shqipëri, babai u vendos në Vlorë.

Blendi Fevziu: Pse u vendos në Vlorë, Timo?

Timo Flloko: Sepse atëherë e dërgoi ministria. Ai ishte mjek , luftoi malarien, sëmundjet veneriane. Kishte nevojë për mjek dhe ai ka bërë një punë shumë të madhe dhe u dashurua me Vlorën.

***

“Çfarë bën, nuk je nisur akoma të japësh konkursin?” Timo Flloko tregon si u bë aktor

“Fati! Rastësia!” Kështu përgjigjet Timo Flloko kur u pyet si iu fut aktrimit.

Aktori i madh u shpreh se ka takuar Vasillaq Godon i cili e sugjestionoi që të merrte pjesë në konkursin e aktrimit.

Flloko rrëfeu se dëshironte të bëhej aktor, por kurrë nuk e mendonte se mund të bëhej i tillë, prandaj sipas tij gjithçka ndodhi rastësisht.

Timo Flloko: Ka qenë një student i vitit të tretë. Unë bashkë me vëllanë tim, Aleksandrin, i cili qe, ai nuk është më, ka qenë një nxënës i shkëlqyer, ai ishte i dashuruar pas teatrit, pas kinemasë, mësimet e para të dashurisë për artin i kam marrë prej tij. Shkuam për herë të parë, se ishte trendi të rinjtë atëherë shkonin në plazhin e ri, atje ishin moli që hidheshin, ndërsa plazhi i vjetër ishte për njerëz të kaluar në moshë. Nuk di se ç’na ndodhi, do luanim futboll a diçka e tillë që nuk u bë as futbolli që shkuam në plazhin e vjetër. Aty takojmë një mik, një student të shkollës atëherë, Vasillaq Godo, një aktor të Teatrit të Vlorës. Ishte student. Çfarë bën ti më thotë mua. Urdhëro i thashë. Na takon aty, çfarë bën thotë, nuk je nisur? Ku të nisem i thashë. Në shkollë o të japësh konkursin sot është data 29 Qershor, në datë 4 mbaron konkursi, nuk je nisur akoma.

Blendi Fevziu: Ndërkohë ti nuk e kishe shprehur kurrë këtë dëshirë?

Timo Flloko: Absolutisht. Unë dëshiroja të bëhesha, por nuk besoja kurrë se mund të bëhesha aktor. Më pëlqente arti, por as e mendoja që mund të isha unë një kandidat për t’u bërë aktor, kështu që ndodhi rastësisht dhe më sugjestionoi.