Radio Televizioni Zviceran, (Schweizer Radio und Fernsehen) SRF, i ka kushtuar një reportazh zbulimeve më të fundit të arkeologëve në Lin të Pogradecit që është pothuajse 8 000 vjet i vjetër.
Ekspedita arkeologjike e stafit shqiptaro-zviceran, drejtuar nga arkeologët Adrian Anastasi dhe Albert Hafner ka nisur prej vitit 2021 dhe po zhvillohet në tre shtete: Shqipëri, Maqedoni e Veriut dhe Greqi, por tanimë fokusi është përqendruar në sitin e Linit, nga vijnë edhe rezultatet e para, të cilat do të plotësohen me përmbylljen e gërmimeve të këtij viti.
SRF shkruan se vendbanimi më i vjetër buzë liqenit u gjet gjatë gërmimeve në liqenin e Ohrit në Shqipëri.
“Provat e para shkencore janë tashmë të disponueshme se Lini është ndërtuar midis 5800 dhe 5900 para Krishtit. Kjo e bën atë rreth 2000 vjet më të vjetër se vendbanimet më të vjetra të njohura në Zvicër”, thuhet ndër të tjera në këtë reportazh.
Sipas studiuesve, “ky është projekti më i madh arkeologjik në Evropë”.
Sipas raportit të hartuar nga Anastasi e Hafner, materialet organike drusore të zbuluara në sitet nënujore ose të mbuluara me sediment në Liqenin e Ohrit apo në bregun e liqenit, dëshmojnë për një vendbanim të hershëm fermerësh, që daton rreth 5900 – 5800 para Krishtit.
“Këtu janë fillimet e bujqësisë dhe blegtorisë dhe për rrjedhojë edhe “ndryshimi më i madh kulturor në Evropë”, shprehet Albert Hafner, profesor i Arkeologjisë Prehistorike në Universitetin e Bernës.
Ai thekson se “ky vend është i rëndësishëm jo vetëm për këtë rajon, por për të gjithë Europën Juglindore”.
“Në fillim të viteve 1970, niveli i ujit në Liqenin e Ohrit ra ndjeshëm dhe kjo e bëri të dukshëm këtë vend nënujor”, thotë Adrian Anastasi nga Instituti Shqiptar i Arkeologjisë në Tiranë.
Gërmimet nënujore janë sfiduese. “Këtu kemi të bëjmë me shumë bimësi bregore. Duhet të luftosh nëpër shtretërit e dendur të kallamishteve për të arritur në vendin e zhytjes”, thotë arkeologia dhe hulumtuesja Marie-Claire Ries, e cila koordinon operacionet e zhytjes në vend.
Sipas specialistëve, vendbanimet palafite bregliqenore në Lin janë më të vjetrat në Europë dhe ky burim informacioni konsiderohet si një ndër më të rëndësishmit në llojin e vet në rang botëror.