Në Rumani, për përfundimin e një linje metroje vetëm 7 km u deshën plot 9 vjet. Ndërsa punimet herë përparonin e herë ndalonin u ndërruan 16 ministra Transporti.
Linja 7 km, e cila kushtoi 660 milion €, u hap këtë javë, pesë vjet më vonë nga planifikimi.
Puna në M5, e cila lidh lagjen e populluar të Drumul Taberei me pjesën tjetër të qytetit, filloi në vitin 2011.
Por projekti, për të cilin politikanët kishin thënë se do të mbaronte për tre vjet, ka hasur në probleme. Në fillim, buxheti i tij u përgjysmua, duke bërë që gjithçka të mbetej në vend. Tenderët publikë për të ndërtuar stacionet u vonuan. Më pas, në vitin 2015, ndërsa gërmohej për një tunel, toka mbi vendin e ndërtimit u shemb.
“Më shumë se 100 vjet më parë, mbretit Charles I iu deshëm 40 vjet për të ndërtuar 4 000 kilometra hekurudhë dhe ne mburremi se bëmë 7 kilometra linja e metrosë në më shumë se 9 vjet”, thotë për Euronews Nicolae Noica, inxhinier ndërtimi dhe ish-ministër i Punëve Publike.
“Ka mungesë kompetence. Tani, ne nuk jemi të aftë të kryejmë projekte të shëndosha ndërtimore publike. Duket sikur gjërat lëvizin mbrapsht këtu në Rumani. Pavarësisht nga teknologjia moderne që na lejon të punojmë më shpejt, projektet kërkojnë shumë më shumë se gjysmë shekulli apo edhe një shekull më parë”.
Kompania shtetërore Metrorex është ngarkuar me menaxhimin dhe funksionimin e rrjetit të metrosë. Linja e re u hap më 16 shtator.
“Kjo linjë rrezikoi të bëhej një lloj legjende, një legjendë e shtyrjeve, por këtu erdhi një qeveri e vendosur, e cila donte të provonte se gjëra të tilla mund të përfundojnë me sukses”, tha presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis.