“Pleshti” përgënjeshtron zërat e merkatos dhe gjithashtu hedh poshtë lajmin e portalit argjentinas “Tnt”, që pretendonte se Leo Mesi ishte ai që kishte paguar garancinë për lirimin nga burgu të Ronaldinjos.
Një përgënjeshtrim i dyfishtë. “Mentira n°1” dhe “Mentira n°2” – shkruan Mesi për 147 milionë ndjekësit e tij në Instagram. Në një moment të qetë të jetës familjare, Lionel Mesi e ka parë të nevojshme të sqaronte gjithçka në lidhje me dy lajmet bombastike të portalit argjentinas “Tnt”. Kapiteni i Barcelonës i ka quajtur “fakenews”, lajme false, duke shuar shpresat e tifozëve të Interit.
Përgënjeshtrimi i parë i Mesit i takon lajmit që e çonte atë tek Interi. “Thiago Almada do të shkojë tek Interi me Lionel Mesin”, – bënte me dije portali argjentinas. Përgjigja e Mesit: “Edhe ajo që kanë thënë në lidhje me kalimin te Newell’s disa javë më parë, ishte një lajm fals. Mirë që nuk ju beson askush”. Mesi i referohet lajmit tjetër të të njëjtit gazetar se ylli i Barcelonës po mendonte rikthimin te klubi ku nisi futbollin.
Lajmi i dytë që Mesi e ka quajtur një gënjeshtër i takon çështjes “Ronaldinjo”, i cili ka lënë burgun dhe është në arrest shtëpie në një hotel luksi në Asuncion, në Paraguai. Duket se pagesa për gjykatën paraguaiane është bërë nga Barcelona dhe kishte zëra se ishte Mesi ai që kishte paguar. Madje, “Tnt” aludonte se të dy lojtarët mund të luanin sërish bashkë. Mesi e ka hedhur poshtë edhe këtë lajm.