Sport Lippi: Juventusi është superior ndaj zikaltërve, e pranoi dhe Conte

Lippi: Juventusi është superior ndaj zikaltërve, e pranoi dhe Conte

“Juventusi zhvilloi një lojë të mirë, ashtu si Interi në pjesën e parë, megjithëse me më pak cilësi. Dhe në planin afatgjatë të ndeshjes, bardhezinjtë ia dolën me sukses. Juventusi ka qenë gjithmonë i fortë dhe i vendosur. Kështu ndodhi edhe të dielën në mbrëmje. Tani për tani, Juventusi është superior ndaj zikaltërve”. Marcello Lippi e komenton kështu supersfidën e mbrëmshme në “”Radio anch’io Sport”. Disa fjalë edhe për garën e titullit:

“Lazio duhet të besojë, absolutisht. Në dy të tretat e sezonit ka treguar se mund ta fitojë titullin, nga këndvështrimi i forcës fizike, i organizimit të lojës dhe i cilësisë. Ajo ka lojtarë shumë të fortë. Gjithashtu, edhe Interi mbetet në garë, pavarësisht humbjes së mbrëmshme. Conte pranoi se ka ende shumë dallime (diferenca) me Juventusin, por zikaltrit kanë bërë një kampionat të nivelit të mirë dhe mund të rriten më tej. Ende mbetet një përplasje e drejtpërdrejtë midis Lazio dhe Juventusit”.

Një vlerësim edhe për emergjencën dramatike të koronavirusit në Itali, çka ka bërë që ndeshjet e Serie A të luhen pa tifozë: “Ka njerëz përgjegjës për komandimin e situatave të tilla. Qeveria duhet të vendosë, të marrë përgjegjësitë e saj, të bëjë ligje dhe t’i zbatojë ato, duke u këshilluar me ata që dinë për problemet shëndetësore më mirë sesa ne. Ndalimi i futbollit? Të gjithë duhet të bëjnë pjesën e tyre. Dje pashë njerëz që po ecnin nëpër plazhe, duke mbushur restorante dhe bare. Kjo sjellje nuk është ajo që kërkon dekreti i qeverisë. Problemi është sa e vështirë është të heqësh dorë nga normaliteti yt. Ndalimi i kampionatit nënkupton mbylljen e gjithçkaje, madje edhe vendet e stërvitjes, përndryshe ju mund të luani të dielën.

Nëse ndalohet fare Serie A, për mua kampionati 2019-2020 do të duhet të zhvleftësohet. Ju nuk mund të caktoni një kampion, as të vendosni skuadrat që zbresin nga kategoria, me 12 ndeshje pa u luajtur. Edhe Kampionati Europian i Futbollit duket se po rrezikohet gjithnjë e më shumë. Ne i bëjmë vetes shumë pyetje, edhe nëse BE ekziston. Le të ndërhyhet me vendime të unionit, edhe pse problemi tani për tani nuk është emergjencë kontinentale, por me hije të ndryshme”.