Burbuqe Berisha dhe Eliza Hoxha, dy nga nismëtaret e “Liria ka emër” kanë qenë të ftuara në emisionin “Rudina” në Tv Klan. Dy artistet kanë treguar historinë e kësaj nisme dhe thanë se tashmë është rrokullisur historia dhe Kosovës po i bëhet një krim, pasi agresori është kthyer në viktimë.
Burbuqe Berisha: Arrestimet kanë qenë tronditëse. Shumë luftë, shumë gjak, shumë humbje nga Kosova dhe në fund njerëzit më kryesor të luftës janë në bankën e të akuzuarve. Ky është një krim i madh që po i ndodh Kosovës. “Liria ka emër” ka nisur më herët se kryerjes së arrestimeve.
Ne jemi munduar si një organizatë artistike, që përmes aktivitetit tona mbledhim fakte që nuk janë dokumentuar siç duhet. Ka pasur informacione, por kurrë nuk kanë qenë të plota. Ne kemi bërë këtë nismë, pasi ka 5 vite që është miratuar në Kuvend ligji për Gjykatën Speciale. Historia jonë ka nisur që prej arrestimeve të para.
Eliza Hoxha: Në fakt “Liria ka emër” nuk ka lidhje me Gjykatën Speciale, sepse ne nuk e ndikojmë dot këtë gjykatë. Në kuptim historik dhe politik arrestimet janë shumë të rënda, pasi ndodh një rrokullisje e historisë. Tani nuk dihet se kush është agresori, kush është viktima dhe kush ka bërë gjenocid.
Më tej deputetja dhe këngëtarja Eliza Hoxha shprehet se rezistenca e popullit të Kosovës dhe lufta që udhëhiqej nga UÇK ka qenë në mbrojtje të dinjitetit, pasi askush nuk ka sulmuar dhe nuk ka luftuar në Serbi, por kanë qenë në shtëpitë e tyre.