Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar lidhur me vrasjen Liridona Ademajt duke thënë se “normat shtypëse patriarkale janë të shpërndara gjerë” dhe se “arrestimi i kriminelëve nuk mjafton.
Kurti shkroi në Facebook se kriminelët nuk po marrin dënimet që meritojnë dhe kësisoj “barra e padrejtësive të sistemit” po bie “mbi supet e grave dhe vajzave”.
“Liridona Ademaj u vra me paramendim. U vra se ishte grua. Gratë dhe vajzat po vazhdojnë të vriten, gjersa normat shtypëse patriarkale ende janë të shpërndara gjerë. Arrestimi i kriminelëve nuk po mjafton. Barra e padrejtësive të sistemit të drejtësisë vazhdon të bie mbi supet e grave dhe vajzave, përderisa kryesit e krimeve nuk marrin dënime meritore. Sot ishte seanca dëgjimore, ku tre të dyshuarve iu caktua nga një muaj paraburgim. Urdhërdhënësi, dorasi dhe bashkëpunëtori në vrasjen e Liridonës duhet të ndëshkohen dhe ta marrin dënimin maksimal. Kjo bëhet me një sistem prokurorial e gjyqësor efektiv dhe të vetëdijshëm për detyrën e lartë shoqërore që bartin. Dhimbja është e madhe. Ndërgjegjja është kolektive, në secilën familje, shtëpi”, thotë Kurti në reagimin e tij.