Lirime të tjera të masave kufizuese kanë filluar të hënën në shumë vende europiane. Edhe në Gjermani kthehet pak më shumë normalitet për qytetarët, por masat dallojnë nga njëri vend në tjetrin. Nga ana tjetër skepticizmi për lirimin e këtyre masave dhe pasojat që mund të kenë ato për dinamikën e pandemisë së Coronës mbeten. Në Gjermani për shembull përqindja e riprodhimit të virusit është rritur më shumë se 1 në dy ditët e fundit.
Aktualisht kjo shifër është më shumë se 1,13, që do të thotë se 10 persona infektojnë 11 persona të tjerë. Instituti Shkencor gjerman që këshillon qeverinë, Robert Koch, RKI e bëri të ditur këtë të hënën. Gjithmonë është theksuar, se për të mbajtur nën kontroll epideminë kjo vlerë duhet të jetë nën 1. Por për shkak të lëkundjeve statistikore nuk është ende e qartë, nëse do të ketë një rritje të re të rasteve të infektimeve.
Numri i infeksioneve në Gjermani kap aktualisht shifrën e 169.800 raste, sipas RKI. Të paktën 7.444 vetë kanë ndërruar jetë si pasojë e virusit. 145.600 vetë janë ndërkohë të shëruar. Por si në vende të tjera edhe Gjermania llogarit me një shifër më të lartë, se ajo në statistika. Më shumë infektime ka në Bavari, Renabi-Veriore Vestfali e Baden Vyrtemberg. Megjithatë në Gjermani vazhdon trendi i lirimit të masave, pas vendimit të qeverisë me landet që masat e mëtejshme të vendosen nga vetë landet në vazhdim të zhvillimit të epidemisë. Strategjia gjermane është masa të diferencuara në bazë të rajoneve.