Policia e Vlorës ka proceduar 12 persona të cilët kishin zënë hapësirën publike në plazhin e Krorëzit, një ndër më të bukurit në vendin tonë, duke ndërtuar pa leje 12 objekte të përshtatura si lokale/beach bar, nga ku ofroheshin shërbime dhe produkte pa lëshuar kuponë tatimorë, duke fshehur të ardhurat dhe shmangur taksat.
Sipas autoriteteve, atyre iu sekuestruan 300 çadra dhe 480 shezlongë.
Në kuadër të planit operacional për kontrollin dhe lirimin e hapësirave bregdetare të zaptuara në mënyrë të kundërligjshme, Seksioni për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për 12 shtetas: B. I., 34 vjeç, A. L., 34 vjeç, V. A., 34 vjeç, A. I., 71 vjeç, I. H., 51 vjeç, E. R., 52 vjeç, A. K., 62 vjeç, Dh. M., 51 vjeç, A. T., 44 vjeç, A. R., 68 vjeç, Dh. K., 69 vjeç dhe M. V., 25 vjeç, të gjithë banues në Sarandë.
Materialet iu kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme. “Operacionet policore “Coastline” dhe “Plazhi i Lirë” do të vijojnë intensivisht në qarkun Vlorë”, tha policia.