Shefja e operacioneve financiare të kompanisë kineze të teknologjisë “Huawei”, e arrestuar në Kanada, ka rifituar lirinë.
Meng Wanzhou ra në pranga pak vite më parë në Vankuver me kërkesë të drejtësisë amerikane, që e akuzonte për mashtrime financiare, përgjime telefonike dhe shkelje të sanksioneve të vendosura ndaj Republikës Islamike të Iranit.
Por, sipas mediave ndërkombëtare, e bija e themeluesit të gjigantit “Huawei” arriti një marrëveshje me prokurorët dhe kërkesa për ekstradimin e saj në Shtetet e Bashkuara ra.
Çështja në fjalë shkaktoi një incident ndërkombëtar mes Kinës, SHBA dhe Kanadasë dhe ishte bërë objekt negociatash mes palëve.
Në këmbim, dy shtetas kanadezë që ishin arrestuar nga autoritetet kineze për spiunazh janë liruar dhe nisur për në Kanada.
Michael Spavor dhe Michael Kovrig u arrestuan në 2018-n, fare pak pasi policia kanadeze arrestoi Meng Wanzhou.
Edhe rasti i tyre shkaktoi përplasje diplomatike, me qeverinë kanadeze që akuzoi Pekinin se kishte vepruar në shenjë hakmarrjeje, gjë që pala kineze asokohe e mohoi.
Lirimi i tyre u konfirmua në një konferencë shtypi të kryeministrit Justin Trudeau, i cili tha se dy diplomatët kishin kaluar momente shumë të vështira.