Dy efektivë policie janë vënë në pranga pas një hetimi të kryer nga SPAK. Bëhet e ditur se ata kanë kapur shtetasin Alfred Mikeli i cili ishte i dënuar me 10 vite burg, por më pas e kanë lënë të ikë, pasi i kanë marrë një shumë prej 10 mijë eurosh.
Sipas SPAK, në datën 10 Gusht 2021, punonjësit e policisë të Sektorit të Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, Viktor Buca dhe Gëzim Lluka, pasi janë vënë në dijeni të vendit ku ndodhej personi në kërkim, e kanë lokalizuar atë dhe e kanë kapur duke e marrë në automjetin me të cilin lëviznin. Pasi kanë negociuar me personin në kërkim Alfred Mikeli, punonjësit e policisë Viktor Buca dhe Gëzim Lluka e kanë lënë të lirë, në shkëmbim të marrjes prej tij të një shumë prej 10.000 (dhjetë mijë) Euro.
Mbi bazën e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin Nr. 06 datë 30 Janar 2022, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj punonjësve të policisë Viktor Buca dhe Gëzim Lluka, si persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 259 paragrafi i dytë e 25 i Kodit Penal. Masat e sigurimit personal për dy punonjësit e policisë së shtetit u ekzekutuan sot me datë 31.01.2022 nga Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave.
Po kështu nga gjykata është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj Alfred Mikelit, si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 244/2 i Kodit Penal.