Ministri përgjegjës për administrimin e situatës ekonomike shkaktuar nga koronavirusi, Arben Ahmetaj, ka treguar këtë të enjte listën e bizneseve që mund të hapen që prej datës 27 Prill.
Gjatë emisionit “Opinion”, ai tha se bëhet fjalë për dyqane të specializuara, pra që shesin një mall specifik.
Ahmetaj sqaroi se nuk do të hapen dyqanet e specializuara brenda qendrave tregtare pasi këto të fundit do të vijojnë të jenë të mbyllura.
“Lista e aktiviteteve që do të hapen janë shitjet e tjera me pakicë në dyqane jo te specializuara, shitja me pakicë e mallrave të tjera të reja në dyqane të specializuara tregtia me pakicë në dyqane të specializuara, aktiviteti i taksive, tregtia me pakicë e tekstileve në dyqane të specializuara, tregtia me pakicë e këpucëve dhe artikujve prej lëkure në dyqane të specializuara, shitje me pakicë e mallrave të tjera të reja aktivitete të tjera tregtare, tregtia me pakicë e mobilieve, pajisjeve të ndriçimit dhe artikujve shtëpiakë në dyqane të specializuara, tregtia me pakicë e luleve, bimëve farërave, plehëruesve, kafshëve në dyqane të specializuara, tregtia me pakicë e orëve dhe bizhuterive në dyqane të specializuara, tregtia me pakicë e pajisjeve audio dhe video në dyqane të specializuara, regjistrimi i zërit dhe aktivitetit të publikimit të muzikës, tregtia me pakicë e qilimave, tregtia me pakicë e lojërave dhe lodrave në dyqane të specializuara, tregtia me pakicë e regjistruesve muzikorë dhe videove në dyqane të specializuara. Tregtia e pajisjeve sportive në dyqane të specializuara, shitja me pakicë e sistemeve të sigurisë, pajisjeve të telekomunikacionit në dyqane të specializuara”, tha Ahmetaj sipas të cilit me këtë ndryshim mbi 350 mijë të punësuar rikthehen në punë.