“Skifterët” shqiptarë në Spanjë janë bërë të frikshëm. Mediat iberike vijojnë t’i bëjnë jehonë rastit të drejtorit të ujësjellësit në Kurbin, por që kërkohej atje për vepra penale, sepse kishte grabitur ndër të tjera edhe shtëpinë e Karim Benzema, yllit të Real Madridit.
Së fundi, gjatë kësaj vere, lajmi i bastisjes së vilës së Ronaldos, Fenomenit, në të cilën po kalonte pushimet Marco Verratti me familjen, mori dhenë dhe alarmoi autoritetet policore spanjolle. Të grabisësh sende të çmuara me vlerë 3 milionë euro në Ibiza, në vilat e yjeve të tillë me roje dhe siguri të lartë teknologjike, do të thotë se “skifterët” nuk falin, nuk njohin limite, janë shndërruar në kërcënim serioz për vendin iberik.
Ata u arrestuan nga policia spanjolle, ndërsa rezultoi se shumica ishin shqiptarë. Mirëpo, bashkë me sendet e grabitura në vilën ku pushonte Verratti, është sekuestruar edhe një copë letër me shkrim dore, në të cilën ishin renditur “viktimat” e radhës për t’u bastisur. Një listë me emra VIP-ash si Rafael Nadal, Lionel Messi deri tek ish-kryeministri spanjoll, Jose Maria Aznar, bashkë me adresat e vilave të tyre.
Këtë gjë e zbulon sot në shkrimin e vet “chiamarsibomber.com”:
“Javën e kaluar, policia spanjolle konfirmoi se kishte arrestuar shtatë burra të akuzuar për kryerjen e grabitjes së shtëpisë në Ibiza, ku po kalonte pushimet Marco Verratti. Një vilë në pronësi të Ronaldos (Fenomeni), që ndodhet në komunën e Sant Josep, në ishullin Ibiza.
Agjentët arritën të rikuperonin pjesën më të madhe të plaçkës së vjedhur me vlerë mbi 3 milionë euro dhe pas kërkimeve të bëra në ditët në vijim, kanë zbuluar shumë më tepër. Po kështu, sipas asaj që shkruan “chiamarsibomber.com”, policia ka sekuestruar edhe një seri shënimesh të shkruara me dorë, ku listohen “viktimat” e ardhshme (të planifikuara) të bandës.
Sipas Policisë Nacionale, banda, e përbërë nga subjekte me origjinë shqiptare, dyshohet se është e lidhur me 15 vjedhje të tjera të ndodhura në disa vila luksoze midis Alicante, Malaga dhe Murcia. Sipas asaj që raportoi gazeta “Diario de Ibiza”, në kontrollet pas arrestimeve të ndodhura në provincën e Malaga, agjentët gjetën një fletore ku kriminelët kishin shënuar emrat e objektivave të tyre të radhës. Emra të rangut të lartë nga bota e sportit dhe politikës.
Fletorja e shkruar me dorë u konfiskua nga shtëpia në Malaga e një spanjolli, që dyshohet se punonte me disa nga shqiptarët e akuzuar për vjedhjet. Në listë bien në sy emrat e ish-madridistëve Guti dhe Fernando Hierro, me shtëpitë e tyre përkatëse në Ibizia, në shënjestër të kriminelëve.
Emri i Nadalit lidhej me shtëpinë e tij prej 4 milionë eurosh në Porto Cristo të Mallorca, ku tenisti jeton me gruan e tij Mery Perello. Messi, në vend të kësaj ishte renditur në fletore, por nuk përfshihej informacion mbi adresën e shtëpisë.
Objektivi i bandës ishte edhe ish-kryeministri spanjoll, Jose Maria Aznar. Një listë e bukur për të treguar se deri ku shkon “gjahu” i anëtarëve të kësaj bande shqiptarësh. Për fat të mirë, policia spanjolle i parapriu lëvizjet e grabitësve”.