Drejtuesi i Amazon, Jeff Bezos nuk di të ndalet. Edhe në kohën e pandemisë ai ishte i vetmi person pasuria e të cilit rritej çdo ditë në shifra marramendëse. Për të tretin vit radhazi ai vazhdon të kryesojë në revistën Forbes si personi më i pasur në botë. Pasuria e tij këtë vit arriti në 179 miliardë dollarë.
“Për të tretin vit në radhë, Jeff Bezos kryeson listën e Forbes. Ai vlen këtë vit 179 miliardë dollarë. Por duhet të dini se pasuria e këtyre njerëzve ndryshon çdo ditë”, u shpreh Kerry Dolan, nga revista “Forbes”.
Sipas renditjes së “Forbes”, së bashku, 400 miliarderët e botës, e kanë rritur pasurinë e tyre këtë vit me 3.2 trilionë dollarë, ndërsa amerikanët vijojnë të shtojnë pasurinë edhe gjatë pandemisë, në këtë ekonomi të shkatërruar e teksa prej muajit shkurt, në SHBA janë mbyllur 11 milionë vende pune.
“Pandemia ka edhe interesin e saj. Për disa kompani ka qenë shumë fitimprurëse. Shumë njerëz kanë blerë online. Aksionet e Amazon vetëm janë rritur. Ndërkohë, shumë njerëz kanë përdorur aplikacionin Zoom. Edhe aksionet e saj janë rritur. Por, në të njëjtën kohë shumë sektorë të tjerë janë tkurrur dhe kanë falimentuar, për shembull, sektori i hotelerisë, nafta dhe gazi. 25 të pasur dolën nga lista e Forbes, ndërsa dhjetëra të tjerë humbën pozicione pas ndikimit të pandemisë në biznesin e tyre”.
Pandemia duket se ka varfëruar muajt e fundit edhe kreun e Shtëpisë së Bardhë. Donald Trump ka zbritur 77 vende në renditje, pasi hotelet dhe bizneset e familjes Trump u prekën nga kriza e pandemisë koronavirus.
“Vlera neto e Donald Trump ka rënë në 2.5 miliardë dollar. Ka humbur 77 pozicione nga një vit më parë. Ai zotëron shumë pasuri të paluajtshme, por vlera e tyre gjatë pandemisë ra”.
Një nga bizneset që ka shënuar rritjen më të madhe, bashkë me Amazon që pas shpërthimit të pandemisë koronavirus, është aplikacioni Zoom, me vlerë neto 11 miliardë dollarë.