Bashkimi Europian dhe Beogradi kanë nënshkruar një marrëveshje për t’i dhënë BE-së akses për të shfrytëzuar pasuritë nëntokësore të Serbisë.
Pritet që në Serbi të nisë punën miniera më e madhe e litiumit në Europë.
Kancelari gjerman Olaf Scholz ishte të premten në një konferencë të përbashkët për shtyp me Presidentin e Serbisë, Alexander Vuçiç, dhe zv/Presidentin e Komisionit Europian, Maros Sefcovic, ku u firmos një Memorandum Mirëkuptimi midis BE-së dhe Serbisë për një partneritet strategjik për lëndët e para të qëndrueshme, zinxhirët e prodhimit të baterive dhe automjetet elektrike.
Sipas Vuçiçit, kjo minierë ka potencialin për të nxjerrë 4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. PPB-ja e Serbisë për vitin 2023 ishte 75 miliardë dollarë.
Opozita serbe dhe aktivistët e mjedisit kanë paralajmëruar se do të bllokojnë hekurudhat dhe rrugët kryesore nëse qeveria do të vijojë me projektin.
Kancelari gjerman Scholz theksoi se projekti do të bëhet vetëm nëse “është i orientuar drejt standardeve që ne i konsiderojmë korrekte”.
Vizita e Scholz vjen pasi qeveria serbe rivendosi licencën për Rio Tinto për të zhvilluar minierën më të madhe të litiumit në Europë, që konsiderohet dhe një thesar tepër i çmuar në këto kohë kur lulëzon industria e automjeteve elektrike. Nëse shtyhet para, projekti 2,4 miliardë dollarë mund ta shndërrojë Serbinë në një vend tërheqës duke mbuluar 90% të nevojave aktuale të Europës për litium.
Por ka pasur kundërshtim të ashpër të projektit në fjalë nga partitë e opozitës dhe aktivistët për mbrojtjen e mjedisit.
Sakaq, Serbia po kërkon që pasuritë nëntokësore t’i përdorë për avantazhe gjeopolitike. Kryeministri Millosh Vuçeviç e konfirmoi vetë një gjë të tillë, duke theksuar se i interesojnë vetëm përparësitë politike dhe ekonomike.
Duke folur për nxjerrjen e mineraleve si litiumi, që përdoret në bateri të makinave dhe pajisjeve të tjera elektronike të karikueshme, ai tha se shqetësohet për mbrojtjen e mjedisit dhe jo për përfitimet e kompanive private, pasi për ndërtimin e minierave ka shumë protesta në Serbi.
“Neve na intereson vetëm çfarë merr Serbia dhe çfarë përfitimesh do të kenë qytetarët, për të mbrojtur qytetarët, përrenjtë dhe lumenjtë tanë. Jadariti ose litiumi përfaqësojnë një mundësi gjeopolitike për Serbinë. Nëse ka nevojë të madhe gjeopolitike për të, le ta përdorim edhe në çështjen e Kosovës dhe ruajtjen e Republikës Srpska”, tha Millosh Vuçeviç, kryeministër i Serbisë.