Poshtëruese ishte përballja me Liverpool e vlefshme për raundin e katërt të Premier League, për ekipin e Bournemouth.
Ekipi që u ngjit këtë sezon në elitën e futbollit anglez e ka pësuar keq në “Anfield”, ndërsa u mundën me rezultatin 9-0.
Makthi i miqve nisi që në minutën e 3’, kur Diaz gjeti rrugën drejt rrjetës pas një asisti nga Firmino, që ishte padiskutim protagonist në këtë takim, teksa 3 minuta më pas po me asistin e Firminos do të shënonte Elliott.
Në minutën e 28’ “The Reds” do të realizonin golin e tretë me Alexander-Arnold, me këtë të fundit që po ashtu shënoi me ndihmën e Firmino, që padiskutimi mund të cilësohet si asistmeni i këtij takimi. Pasi ndihmoi tre shokë të skuadrës të shënonin, në minutën e 31’ Firmino gjeti vetë rrugën drejt rrjetës dhe i dhuroi ekipit të Klopp golin e katërt. Pjesa e parë do të mbyllej me pesë gola, me Van Dijk që shënoi në minutën e 45’.
Edhe fraksioni i dytë i kësaj ndeshje ishte i mbushur me gola, me episodin që u hap nga një autogol i Mepham, duke i dhuruar kështu një avantazh edhe më të thellë vendasve.
Në minutën e 63’ Firmino do të kthehej sërish në protagonist dhe do të realizonte golin e dytë personal dhe të shtatin për Liverpool.
Carvalho do t’u bashkohej shokëve të skuadrës që këtë të shtunë gjetën rrugën drejt rrjetës, duke shënuar në minutën e 80. Ndërsa në minutën e 85’ Diaz do të shënonte golin e dytë personal dhe të nëntin për ekipin e Liverpool, duke mbyllur kështu makthin për Bournemouth, që nuk pati mundësi për të reaguar.
Kështu me këtë përballje Liverpool “shlyen” disi nisjen aspak të mirë të kampionatit, duke marrë fitoren e parë për sezonin 2022-2023, ndërsa pas katër javësh renditet në vend të tetë me 5 pikë, teksa Bournemouth renditet në vend të 16 me vetëm 3 pikë të grumbulluara.