Liverpooli reagon ashpër ndaj tifozëve që thyen rregullat e distancimit social duke dalë në një nga qëndrat e qytetit për të festuar fitimin e titullit kampion pas plot 30 vitesh.
5000 tifozë të The Reds nuk e përmbajtën dot gëzimin duke u mbledhur në shesh dhe duke festuar por siç lexohet edhe në komunikatën e Liverpoolit, ky veprim i tyre mund të rrisë numrin e të prekurve me COVID-19, në krahinën e Merseyside.
“Mijëra njerëz u mblodhën në sheshin “Pier Head” në 26 qershor dhe disa prej tyre injoruan masat e distancimit social. Qyteti ynë është ende në një krizë të shëndetit publik dhe kjo sjellje është krejtësisht e papranueshme. Rreziku i mundshëm i një piku të dytë të COVID-19 ekziston dhe duhet të punojmë së bashku që të sigurohemi që nuk do të zhbëhet gjithçka e arritur gjatë bllokimit të gjithë rajonit. Kur situata të jetë kushtet e duhura, do të punojmë të gjithë për të organizuar një paradë fitoreje, ku të gjithë mund të vijnë të festojmë së bashku. Deri atëherë, siguria e qytetit tonë dhe e njerëzve tanë vijon të jetë përparësia numër një për ne”, shkruhet në deklaratën e klubit anglez.