Është Liverpuli skuadra më “e mirë” në Europë. Sipas CIES (Qendra Ndërkombëtare e Studimit Sportiv”, në bazë të statistikave, skuadra e drejtuar nga trajneri Jurgen Klop është ajo që shkakton më pak faulle. Për të arritur në këtë konkluzion, janë analizuar kampionatet e 35 vendeve europiane. Kështu, përveçse kampion nga ana sportive i Europës, Liverpuli është kampion edhe i korrektësisë.
Ekipi që kryeson bindshëm kampionatin anglez kryen mesatarisht 8.14 faulle për ndeshje. Në fakt, skuadrat angleze, duke parë edhe mënyrën e gjykimit në kampionatin e tyre, dominojnë këtë klasifikim special. Arbitrat anglezë lejojnë më shumë lojën e fortë, duke vërshëllyer në një ndeshje mesatarisht 20.4 herë për ndërhyrje të parregullta. Në kampionatet e tjera, kjo mesatare është në shifrën 27.2 faulle.
Në Itali, skuadra që bën pak faulle është Napoli, me një mesatare prej 11.89 ndërhyrjesh për ndeshje, më pas vijnë Lacio me 12.11, Atalanta 13.58, Juventusi 13.63 dhe Interi 15.63. Ekipi më “i keq” në 35 kampionatet europiane janë serbët e FK Vojvodinës, me mesataren 22.89 faullesh për ndeshje.