Një prej akuzave më të rënda që iu bënë ambasadorit amerikan Donald Lu nga Prokuroria e Përgjithshme ishte ajo e kërkesës për mbylljen e hetimeve për Bankers Petrolium.
“Gjithashtu, Ambasadori Lu, në më shumë se njëherë, ka ushtruar presion ndaj Prokurorisë së Përgjithshme për të mos vijuar hetimet ndaj disa kompanive, për të cilat kanë ekzistuar dyshimet se kanë shkelur ligjet shqiptare. Rasti më flagrant, i cili është i dokumentuar me shkresë zyrtare, i bere publik edhe ne media, i referohet ndërhyrjes së drejtëpërdrejtë të Ambasadorit të SHBA në Tiranë, në hetimin që Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier nisi ndaj kompanisë së naftës “Bankers Petroleum”.
Kjo kompani akuzohej nga mediat dhe banorët e zonës ku ushtron aktivitetin se u kishte sjellë dëme të pariparueshme në pasuritë dhe shëndetin e tyre. Për këtë rast, Ambasadori Lu ka kërkuar, në kundërshtim me çdo lloj komunikimi diplomatik dhe ligjor, që hetimi të mos vijonte, pasi pasojat do të godisnin në mënyrë të drejtëpërdrejtë Prokurorin e Përgjithshëm”, thuhej në deklaratën e Prokurorisë së Përgjithshme më 2 shkurt.
Tre javë më pas, kryeprokurori Adriatik Llalla paralajmëroi rinisjen e hetimeve për Bankers Petrolium. Hetimet do të përfshijnë jo vetëm ngjarjet e fundit, por edhe ato që Llalla tha se Prokuroria e Fierit i mbylli pas presionit të ambasadorit Lu.
“Do të hetohet gjithçka. Do të ketë edhe prishje të vendimeve të mëparshme”, u shpreh ai.
Mes kryeprokurorit dhe ambasadorit amerikan ka shpërthyer një betejë e hapur. Ambasadori e akuzoi kryeprokurorin se është kundër reformës në drejtësi dhe ambasada i revokoi vizën.
Ndërsa kryeprokurori tha se ambasadori Lu e ka shantazhuar personalisht atë dhe Prokurorinë e Përgjithshme për të mbyllur hetimet për Bankers dhe për të mos hetuar pushtetarë që mbështen prej tij.