Aktualitet Llalla si Gruevski, gazetari zbulon se çfarë ka në valixhe ish-kryeprokurori: Do...

Llalla si Gruevski, gazetari zbulon se çfarë ka në valixhe ish-kryeprokurori: Do kërkojë azil në Hungari

Adriatik Llalla, në bazë të vendimit të gjykatës, tani do duhej të ishte në burg, por kur policia shkoi mbrëmë në shtëpinë e tij për ta arrestuar, ish-kryeprokurori nuk u gjet në banesë.

Sipas informacioneve dhe kësaj fotoje të bërë virale, ku Adriatik Llalla në stacionin e trenave në Romë, ish-kryeprokurori është arratisur.

Gazetari Mentor Kikia ka shkuar më tej, ku sipas tij Llalla do të kërkojë azil në një shtet të BE-së. Ai thotë se me gjasë ish-kryeprokurori ka marrë me vete provat dhe intervistat e përplasjes së tij me ish-ambasadorin amerikan Donald Lu.

“E sigurtë është që nëse ai udhëton drejt ndonjë vendi të BE, në atë valixhe ka të gjitha intervistat edhe të ambasadorit të SHBA edhe intervistat që ka dhënë këtu, sepse ai nuk ka ikur për t’u arratisur, por për të kërkuar azil politik. Nuk kam informacion, bëj deduksion.

Përplasja e tyre ka qenë publike, sot jemi përballë faktit që kemi zyrtarin më të lartë të drejtësisë shqiptare të dënuar, ky është një lajm i mirë.

Unë nuk marr përsipër të them nëse është dënuar me apo pa të drejtë. Ka gjyqtarë që kanë dalë në proces vettingu me pallate dhe duhet të ishin aty.

Ajo që unë druaj tani është që konflikti publik me ambasadorin amerikan do t’i japë atij mburojën aty ku do të shkojë. Beccheti fitoi një super gjyq me tre mesazhe telefoni.

Unë mendoj që ka marrë me vete aq argumenta sa të ngrejë çështjen atje ku ka shkuar”, u shpreh gazetari Kikia në “Opinion”.

Ndërsa analisti Lorenc Vangjeli, beson se Adriatik Llalla do të kërkojë azil në Hungari, por sipas tij, këto janë informacione që qarkullojnë të pakonfirmuara.

Kujtojmë se edhe ish-kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski ndodhet në Hungari, ku ka marrë azil politik.