“Pas rrëzimit të diktaturës në vitet ’90, liria u përkthye si mungesë e sundimit të ligjit”, deklaroi në Parlament ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, dhe sipas tij kjo solli anarki dhe rënien e lirë të shtetit.
Gjatë fjalimit të tij, ku foli për aktin normativ të Operacionit Forca e Ligjit, ministri Lleshaj theksoi se modelet kriminale kanë shkatërruar shoqërinë shqiptare.
Ai tha se sot në vendin tonë ka shumë të rinj të pashkolluar dhe analfabetë të cilët janë bërë milionerë duke ndërtuar biznese me paratë e krimit.
Pjesë nga fjalimi i ministrit Sandër Lleshaj:
“U bënë vite që në Shqipëri flitet për krime të organizuar, u bë shumë kundër tij, por ende ka mbetur për t’u bërë shumë. Në fillimin e viteve ’90 kur Shqipëria ndërroi sistemin, në fakt liria u përkthye si mungesë e ligjit dhe ajo që rezultoi pas diktaturës ishte një lloj karikature e demokracisë, që në fakt ishte anarkia, që në thelbin e saj nënkuptonte rënien e lirë të shtetit. Dhe kështu ndodhi.
Jemi të gjithë dëshmitarë të asaj se çfarë ka përjetuar vendi gjatë dekadave të fundit në fushën e mos sundimit të ligjit. Besoj është e qartë çfarë ka ndodhur, po të përdor një shembull për të ilustruar nga fusha e ndërtimit, se si filloi ndërtimi pa leje, zaptimi i tokës së huaj.
Është krijuar një model unik, i pakuptueshëm dhe i papranueshëm që ligji ndjek njerëzit dhe jo njerëzit ndjekin ligjin. Kjo ka sjellë pasoja të mëdha në shumë sektorë të jetës tonë. Sot rezultojmë në një shoqëri ku kemi të rinj analfabetë, por dhe milionerë, kur kemi të ditur por varfanjakë, kur kemi krijuar modele shkatërruese për rininë, modele kriminale biznesi, të cilat kanë joshur shumë të rinj në rrugë kriminale, të rinj të cilët nuk kanë investuar për asgjë në jetën e tyre, nuk kanë bërë shkollë, nuk kanë mësuar asnjë profesion, por kanë parë se ç’ka bërë komshiu ose i afërmi i tyre, janë futur në rrugë kriminale, kanë ndërtuar biznese, ndonjëherë perandori ekonomike të ndërtuar mbi krim. Ky model ka shkatërruar jo vetëm shumë të rinj e të reja, por ka shkatërruar dhe shumë biznese të ndershme të cilat nuk gjejnë hapësirë për t’u zhvilluar normalisht përsa kohë që lulëzojnë biznese të ndërtuar mbi krim, biznese që s’kanë nevojë për bilance, bilance që nuk kanë nevojë për vlerësim risqesh. Dhe në këtë mënyrë e gjithë shoqëria është vënë përpara një sfide të madhe, dhe siç ndodh zakonisht në këtë qerthull vicioz kriminalizues, fillimisht vjen pasuria, pastaj vjen etja për pushtet, pastaj vjen edhe etja për prestigj dhe dalëngadalë krijohen modele jashtëzakonisht toksike për shoqërinë. Kjo ka ndodhur!”