Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka reaguar një ditë pasi Partia Demokratike e cilësoi shantazh faktin që ai, në një takim, sipas saj, me truproja të Lulzim Bashës, ka bërë me dije se siguria e kreut të PD-së është në rrezik.
“Nuk kam asnjë informacion që Basha është kërcënuar. Takime me truproja të Gardës kam pasur, kjo është puna ime e përditshme, të takoj truproja të Gardës dhe të pyes ata për vijimin e punës sime”, deklaroi Lleshaj nga Vlora.
Ministri u pyet edhe për zgjedhjet e 30 qershorit.
Lleshaj theksoi se “puna po vazhdon”, pavarësisht se “ka disa kryetarë bashkie dhe individë që duan të pengojnë procesin, por nuk e arrijnë dot pasi çdo gjë është kushtetuese”.
“Kryetarët e bashkisë dhe individët duhet ta heqin nga mendja fjalën dhunë. Procesi zgjedhor do të vijojë, pavarësisht tensioneve. Kush mundohet të pengojë procesin zgjedhor do të përballet me forcën e ligjit”, u shpreh Lleshaj.