Kryesore Lobi grek në SHBA, një fantazmë e atij që ishte dikur

Lobi grek në SHBA, një fantazmë e atij që ishte dikur

Drejtuesi i gazetës greke “Kathimerini” Alexis Papachelas i ka kushtuar dje një opinion lobit greko–amerikan.

Ky i fundit është shpesh temë lajmesh edhe në Shqipëri dhe ushqen lloj-lloj alibish si për pushtetin e Tiranës, ashtu edhe për ata protagonistë të periferisë politike që ja dalin të qarkullojnë ndonjë fotografi.

Për këtë arsye shkrimi i Papachelas ka një farë interesi për të hedhur dritë mbi ndryshimet që kanë ndodhur në atë që konsiderohet si lob i fuqishëm në Shtëpinë e Bardhe, por edhe strategjinë e lobimit.

Gazetari e nis opinionin me një konstatim diretk: Lobi grek është një fantazmë e atij që ka qenë dikur. Kjo për shkak se rolin që dikur e luante kisha dhe Peshkopi Jakov nuk e plotëson ende askush. Edhe dy njerëz që në Greqi konsideroheshin si grekët e Shtëpisë së Bardhë, Reince Priebus, ish-shef stafi në administratën Trump dhe George Gigicos, person i afërt me Trump, janë larguar. Papachelas shton se koha ka provuar se – dhe kjo duhet pranuar nga të gjithë – se fakti se dikush me origjinë greke është në një pozicion politik, nuk do të thotë se problemet marrin zgjidhje.

Ka arsye objektive për këtë që sidomos lidhen me axhendën që imponojnë detyra të larta në ShBA, shumë më të rëndësishme sesa hallet që shpik media apo politika ballkanike. Më tej akoma, këmbëngulja për të lidhur me detyrime lobimi çdo greko amerikan që kap njëfarë detyre është joefektive dhe krijon raporte artificiale, pa harruar se siç e do puna në ShBA shumë prej këtyre personave përdorin origjinën dhe çdo mjet për të bërë karrierë dhe asgjë më shumë.

Ajo çfarë bën përshtypje këtu është fakti se edhe Greqia, një vend anëtar në BE dhe në NATO ka nevojë për lobime në Shtëpinë e Bardhë, çka do të thotë se politika dhe qëndrimet e saj janë në thelb pa rëndësi saqë të hyjnë në llogaritë strategjike të të mëdhenjve. Dhe këtu duhet lobimi që nuk është asgjë më shumë sesa një lutje dhe investim për një fjalë apo një telefonatë.

Papachelas sugjeron që grekët të heqin dorë nga dalldisja pas vetes pasi p.sh cilidoqoftë qëndrimi i Erdogan, askush nuk do të humbasë Turqinë. Dhe me siguri Turqia dhe Erdogan e dinë fare mirë se nuk kanë nevojë për lobistë që  dikush ti dëgjojë në botë.

Ndaj lobimi në botën e sotme sipas gazetarit nuk do udhëhequr nga fakti nëse ndonjë zyrtar në ShBA ka provuar apo jo xaxiq, por nga synime strategjike.

Ky shtjellim vlen disi për të ulur dozën e rëndësisë që i jepet takimeve dhe fotove që ndonjë politikan lokal nga Shqipëri bën në ShBA.

Vlen po ashtu për të kuptuar se ndonëse nuk ka ende një diçka që mund të quhet lob shqiptaro-amerikan, ka patjetër një lobim në ShBA për çështjet shqiptare dhe duhet thënë se ai ka qenë shumë i suksesshëm.

Me lobimin dhe domosdoshmërinë e tij duhet të rrjedhë edhe pranimi i faktit se ne si vend nuk kemi ndonjë rëndësi strategjike dhe duhet të heqim dorë nga përfytyrimi se jemi qendra e diçkaje.

Ndaje dhe armiqtë apo rivalët nacionalë i kemi po kaq të parëndësishëm edhe pse shumë më të zhurmshëm nga sa jemi vet.