Investigimi i revistës amerikane “Mother Jones” vitin e shkuar, mbi lobimin prej 675.000 dollarësh nga Partia Demokratike, përmes kompanisë “Stonington Strategies” të lobistit Nick Muzin, ngrinte dyshime se pas një pjese të pagesave të bëra nga kompania “Biniatta Trade LP”, me qendër në Skoci, qëndrojnë biznesmenë rusë.
Ky investigim nxiti tri hetime paralele: në SHBA, Skoci dhe Shqipëri, të cilat janë ende aktive.
Janë pikërisht hetimet në Skoci, ato që gjatë këtyre muajve të fundit kanë zbuluar të tjerë shtetas rusë, që fshihen pas kompanisë “Biniatta Trade LP”. Deri më tani, për “Biniatta Trade LP” dimë se ka kryer një pagesë, atë më 24 mars 2017 në vlerën e 150 mijë dollarëve për “Stonington Strategies”, nga ku përfitimi i shërbimeve lobuese i shkonin Partisë Demokratike.
“Biniatta Trade LP” rezulton e regjistruar në Edinburg të Skocisë dhe është në pronësi të një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belize, një shtet i Amerikës Qendrore i njohur si “parajsë fiskale”. “Biniatta Trade LP” është një partneritet i krijuar nga dy kompani: “Asverro Corp” dhe “Liminez Commerce”.
Sipas “Mother Jones”, 75 për qind e tyre zotërohen nga dy shtetas rusë, Evgeny Sheremetyev dhe Kostantin Ferulev.
Për herë të parë dhe ekskluzivisht, gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu sjell sot detajet e hetimeve intensive në Skoci, nga ku besohet se janë zbuluar pronarët e vërtetë që qëndrojnë pas “Biniatta Trade LP”. Ato janë Victoria Valkovskaya dhe Natasha Radysheva, që të dyja shtetase ruse.
Nga një kërkim në Google, në Facebook dhe LinkedIN, të dhënat tregojnë se zonja Victoria Valkovskaya jeton në ishujt Seychelles, një vend i njohur si “parajsë fiskale” për kompanitë “offshore”. Ndërsa Natasha Radysheva jeton në shtetin Belize, njohur gjithashtu si një “parajsë fiskale” në Amerikën Qendrore.
Hetimi në Skoci ka zbuluar edhe disa të dhëna të tjera. E ndërsa Victoria Valkovskaya dhe Natasha Radysheva janë pronare të “Biniatta Trade LP”, administratoret e këtyre shoqërive që formojnë “Biniatta Trade LP” janë shtetaset Molli Roselie, me origjinë nga Republika Çeke, dhe Gina Esparon, nga ishujt Seychelles.
Në të gjithë këtë histori, Evgeny Sheremetyev, Kostantin Ferulev, Victoria Valkovskaya dhe Natasha Radysheva kanë rol pasiv, ndërsa Gina Esparon, siç shikohet edhe nga ky dokument, është ajo që hedh firmën në emër të “Biniatta Trade LP” sa herë ndodhin transaksione financiare, si në rastin e pagesës së bërë për “Stonington Strategies” të lobistit Nick Muzin.
Gina Esparon përdor edhe emrin Gina Sandra Kilindo, emër i cili për herë të parë del në dokumentet e kompanive “offshore” në “Panama Papers”. Gina Sandra Kilindo është bashkëpronare e aksioneve të kompanisë “Euroimpex Group Corp” dhe përfituesi më i madh nga kjo kompani është shtetasi rus Mikhail Slipenchuk.
Ai ka mbajtur postin e nënkryetarit të Komisionit parlamentar për Burimet natyrore dhe Ekologjinë në Parlamentin rus, i zgjedhur nga partia e presidentit Putin, “Rusia e Bashkuar”, nga viti 2011 deri në vitin 2016. Mikhail Slipenchuk konsiderohet si politikani më i pasur në Rusi.
Ekziston edhe një tjetër lidhje e përbashkët mes Gina Sandra Kilindo, që firmos kontratat e “Biniatta Trade LP”, me dy shtetaset ruse, Victoria Valkovskaya dhe Natasha Radysheva. Gina Sandra Kilindo zotëron 75% të kompaninë “Alpha Consulting Group Limited”, ndërsa Victoria Valkovskaya dhe Natasha Radysheva punojnë edhe për këtë kompani.
Hetimet në Skoci kanë zbuluar edhe 3 zonja të tjera lidhur me “Biniatta Trade”. Elena Yael Dovzhik është pronare e “LAS International” me qendër në Londër. Ajo është shtetase me origjinë nga Lituania, por lindur në Angli. “LAS International” përmbledh të gjitha kompanitë që formojnë “Biniatta Trade” dhe ka si partnere edhe Lisa Varushenyeva dhe Ineta Sarah Utinane./TCH