Sport Loja magjepsëse, zbuloni 14 rregullat e Krojfit që ndjekin holandezët e Ajaksit

Loja magjepsëse, zbuloni 14 rregullat e Krojfit që ndjekin holandezët e Ajaksit

Europa mahnitet me Ajaksin, që pasi eliminoi Realin e Madridit, nxori jashtë loje edhe Juventusin e Ronaldos. Me një lojë që ka magjepsur Kontinentin e Vjetër. Të rinj, të talentuar, të përgatitur, të fortë. Djemtë e Erik Ten Hagut arrijnë të luajnë me sy mbyllur me njëri-tjetrin dhe mund t’i shkojnë deri në fund këtij kompeticioni.

Mediat i konsideruan si nipat e Johan Krojfit, i cili ishte i pari që hodhi bazat e këtij futbolli spektakolar.

Sigurisht që ky brez është i frymëzuar prej tij, kërkon të bëjë realitet idetë e tij dhe mbi të gjitha 14 rregullat bazë në ndërtimin e një skuadre. Ecuria e jashtëzakonshme në Champions ka sjellë frytet e para në kampin holandez. Një skuadër që në fillim të këtij sezoni e kishte vlerën pak më shumë se 50 milionë euro, tani vlen mbi 400 milionë euro.

Kjo rritje përkon me ndeshjet e mira në Europë dhe lojën e tyre spektakolare thuajse gjatë gjithë kompeticionit. Në fazën e grupeve, dikush quante Bajernin në krizë kur luante përballë Ajaksit dhe askush nuk i vlerësonte “harkëtarët”. Por me kalimin e raundeve dëshmuan se janë një ekip i fortë dhe jo rastësisht kanë mbërritur këtu.

Në listën e “viktimave” të Ajaksit u shtuan edhe Reali i Madridit me Juventusin. Por a kanë forcë për të shkuar deri në fund të Champions-it? Kjo është për t’u parë. E sigurt është që kush dashuron futbollin, ka simpati për Ajaksin dhe bën tifo për ta.

14 RREGULLAT

1; Loja për skuadrën- Për t’i bërë gjërat, duhet t’i bëni bashkë.

2; Përgjegjësia– Duhet të kujdeseni për gjithçka si të ishte e juaja.

3; Respekt– Duhet të respektoni njëri-tjetrin.

4; Integrim- Përfshijini të tjerët në aktivitetin tuaj.

5; Iniciativë– Kini kurajën dhe guximin për të provuar diçka të re.

6; Stërvitje- Ndihmoni gjithmonë njëri-tjetrin në një skuadër.

7; Personalitet- Jini vetvetja.

8; Impenjim social– Vendimtare në sport është më shumë jeta në tërësi.

9; Teknika- Është baza.

10; Taktika- Dini çfarë bëni.

11; Zhvillim- Sporti zhvillon trupin dhe mendjen.

12; Të mësosh- Kërko të mësosh gjithmonë diçka çdo ditë.

13; Të luash bashkë- Është një pjesë thelbësore e lojës.

14; Krijueshmëria- Është e bukura e sportit.