Britania e Madhe dëboi tre agjentë kinezë që jetonin në vend që prej disa muajsh duke u paraqitur si gazetarë, zbuloi e përditshmja britanike ”Daily Telegraph”, duke cituar një burim qeveritar.
“Duke pretenduar të jenë gazetarë për agjenci të ndryshme kineze të lajmeve, ata në të vërtetë kanë punuar për Ministrinë kineze të Sigurimit të Shtetit dhe kishin mbërritur gjatë vitit të kaluar”, theksoi i njëjti burim.
“Identiteti i tyre i vërtetë u zbulua nga MI5 (shërbimet britanike të sigurisë së brendshme) dhe do të ridërgohen në Kinë”, shtoi burimi.
Marrëdhëniet mes Kinës dhe Britanisë së Madhe janë aktualisht të tendosura për shkak të represionit kinez në Hong Kong dhe në Xinjiang, objekt kritikash të ashpra nga Londra.
Britania e Madhe gjithashtu ka vendosur të mos lejojë kompaninë kineze të telekomunikacionit ”Huawei” të jetë pjesë e operatorëve të rrjetit 5G në territorin e saj, duke përmendur shqetësime të sigurisë së brendshme.