“I takon Donald Tusk për të vlerësuar nëse gjuha e përdorur është e dobishme”, theksoi zëdhënësi i Downing Street duke iu përgjigjur ftohtë deklaratës së presidentit të Këshillit Europian, sipas të cilit hartuesit e Brexit-it meritojnë një vend në ferr.
”Referendumi mbi Brexit ishte ushtrimi më i madh i demokracisë në historinë e këtij vendi. Njerëzit votuan për të lënë BE-në dhe qëllimi është të shkojmë në një marrëveshje, në mënyrën më të mire të mundshme për të dyja palët, Britaninë e Madhe dhe Bashkimin Europian”, përfundoi zëdhënësi.
Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk u shpreh sot se duhet të ketë një vend të veçantë në ferr për profetët që projektuan Brexit.
”E pyeta veten se cili ishte vendi i posaçëm në ferr për ata që e promovuan Brexit-in pa asnjë projekt”, tha Tusk në Bruksel.
”Në këtë pikë, me largimin e planifikuar të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian më pak se dy muaj larg, të dyja palët duhet të përqendrohen në shmangien e një pamarrëvesheje kaotike Brexit”, theksoi Tusk.
“Ndjenja e përgjegjësisë na tregon gjithashtu që të përgatitemi për një fiasko të mundshme”, shtoi ai.
Tusk i bëri këto deklarata gjatë një takimi me kryeministrin irlandez, Leo Varadkar dhe një ditë përpara se kryeministrja britanike Theresa May të shkojë në Bruksel për të diskutuar alternativat për të rregulluar një bllokim në kufirin irlandez.