Ish-lojtari i Interit, Lothar Matthaus, ka folur për ish-ekipin e tij në “Gazzetta dello Sport”. Këtu janë fjalët e tij: “Pasi të jeni një herë pjesë e Interit, do të mbeteni përgjithmonë zikaltër. Ju mund të ndryshoni gruan, por jo edhe ekipin e zemrës. Nëse unë ndjehem më shumë italian se gjerman? Mendërisht po. Dhe pastaj sportivisht, sepse kam kaluar vitet më të mrekullueshme të karrierës sime tek Interi. Asokohe luhej futbolli më i mirë në Seria A, sepse aty garonin futbollistë të tillë si Maradona, Platini, Van Basten, ndërsa ekipet italiane, gjithashtu, triumfonin në Europë dhe në Botë.
Kampion 1989? “E paharrueshme si atmosferë. Për një javë flitej vetëm mbi këtë fakt në baret dhe supermarketet e Milanos. Ne kishim për të mundur Napolin dhe Maradonën. Interi sot? Nuk është një ekip i qëndrueshëm, por unë besoj se “Suning” do ta ngrenë klubin në nivele të larta. Falë Interit, besoj se Juventusi do ta ketë të vështirë për ta fituar titullin e shtatë radhazi në Seria A. Investimet e familjes “Zhang” do të lëvizin Interin drejt majave të futbollit italian dhe europian. Nuk mendoj se ka nevojë për një revolucion, baza e ekipit është e shkëlqyer. Me 2-3 përforcime të nivelit më të lartë, zikaltrit mund të luftojnë pa problem për titullin”.
11-shja më e mirë e Interit, përgjithmonë? “Zenga, Bergomi, Brehme, Matteoli, Ferri, Mandorlini, Bianchi, Berti, Diaz, Matthäus, duke mos harruar Serena Beppe Baresi. Por, më kujtohet, gjithashtu, Milani i Arrigo Sacchit: Giovanni Galli, Tassotti, Maldini, Ancelotti, Costacurta, Baresi, Donadoni, Rijkaard, Van Basten, Gullit, Evani, Filippo Galli, Colombo dhe Virdis. Dy ekipet e Milanit, që kanë shkruar një pjesë të historisë së futbollit italian dhe kontinental.”