Joachim Low e konsideroi zhgënjim të madh për të gjithë humbjen që pësoi Gjermania ndaj Anglisë, me rezultatin 2-0.
Në deklaratat pas ndeshjes, trajneri drejtoi gishtin edhe te dy futbollistë të caktuar.
“Shpresonim të arrinim shumë më tepër në këtë kompeticion dhe kishim besim. Në ndeshje si kjo e sotmja, është e domosdoshme që të shfrytëzosh ato pak raste që krijon. Timo Werner dhe Thomas Müller patën raste të pastra, por nuk shënuan dot”, tha Low.
Një Kupë Bote dhe 63% e ndeshjeve të fituara, Low e mbyll me Gjermaninë
Merr fund pas plot 15 vitesh epoka e Joakim Low në pankinën e përfaqësueses së Gjermanisë, me trajnerin që drejtoi për herë të fundit “panzer”-at pikërisht në “Wembley” përballë Anglisë, aty ku humbja 2-0 u kushtoi eliminimin nga Kampionati Europian.
Trajneri 61-vjeçar u afrua te Gjermania si asistent i Jurgen Klinsmann në 2004-ën dhe më 12 korrik të 2006-ës u emërua trajner i parë i “Die Mannschaft”, pozicion të cilin e mbajti për thuajse 15 vite të plota, pasi “dorëzoi çelësat” vetëm mbrëmjen e sotme”.
Joakim Low drejtoi përfaqësuesen gjermane në plot 198 ndeshje, nga të cilat fitoi 124, barazoi 40 dhe humbi 34 të tjera, me një përqindje suksesi prej 63% të takimeve të fituara në total.
Nën drejtimin e Low, Gjermania ia doli të fitojë Kupën e Botës në 2014-ën dhe Kupën e konfederatave në 2017-ën, teksa u rendit i dyti në Europianin e 2008-ës dhe i treti në Botërorin e 2010-ës.
Megjithatë kritikat ndaj trajnerit ishin shtuar ndjeshëm kohët e fundit, si në lidhje me përzgjedhjen, ashtu edhe me performancën e skuadrës në fushë, ndaj Federata gjermane njoftoi që para Europianit se ky do të ishte kompeticioni i fundit me 61-vjeçarin trajner.
Vendin e Loë në pankinën e Gjermanisë do ta marrë Hansi Flick, trajner që fitoi gjithçka me Bayernin e Mynihut në sezonin 2019-2020 dhe titullin kampion në sezonin që sapo u mbyll, ndërsa tani do të provojë të rikthejë edhe “panzer”-at te lavdia.