Kryeministri Edi Rama publikoi një video ku kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi deklaron se “LSI ka imunitet nga COVID-19”.
“Të jeni të bindur që LSI nuk e zë asnjëherë virusi edhe nëse e kalon ndonjëri tangent e kalon pa pasoja. Kështu që mos t’ia ketë frikën LSI-së se LSI për atë punë është me imunitet top”, shprehet Kryemadhi gjatë një konference për mediat.
“Monika Kryemadhi pohoi se LSI ka imunitet të fortë ndaj koronavirusit. Shumëkush mund të pyesë veten se cila është arsyeja? Përgjigjen na e jep vetë Monika”, thuhet në video.
“Gjëja e parë që luftohet COVID-i është një trup me imunitet fortë. Shqiptarët nuk mund të kenë imunitet të fortë kur nuk kanë bukë të hanë. Tryezat e shqiptarëve nuk janë tryezat e oliogarkëve të Edi Ramës, tryezat e shqiptarëve nuk arrijnë dot të ushqejnë me bukë fëmijët e tyre”, – tha Kryemadhi.
Sipas saj, që të kesh një imunitet duhet të jesh i ushqyer mirë, që të jesh i ushqyer mirë, duhet të kesh një vend pune të mirë, që të kesh një vend pune të mirë, duhet ta kesh edhe me pagë të mirëpaguar.
“Pra, sipas kryetares së LSI-së kush nuk ka bukë për të ngrënë në pjatë, nuk ka imunitet të fortë dhe pa imunitet COVID-in nuk e mposht dot asnjë shqiptar i zakonshëm. Por sipas saj, LSI-ja po ndryshe nga këta shqiptarë ka imunitet të fortë”, thuhet në video.
“Pra Monika Kryemadhi sapo na vërtetoi se njerëzit e LSI-së i kanë gjithmonë pjatat dhe xhepat plot aq shumë sa nuk pyesin për koronavirusin”, thuhet në video.
Edhe gjatë një takimi me banorët e prekur nga tërmeti, Kryemadhi nuk mbante maskë duke mos zbatuar masat antiCOVID, siç dhe shihet në videon e dytë të publikuar nga Rama.
Por një qytetar i drejtohet Kryemadhit duke i thënë se ndryshe nga ajo, e mban maskën pasi i frikësohet koronavirusit.
“E mbaj maskën, se nuk e përballoj dot virusin. Ti e përballon se ke lekë”, i drejtohet qytetari Kryemadhit, e cila i thotë se maskën duhet ta mbash brenda.
Gjatë këtij takimi, policia ka ndërhyrë duke vendosur gjobë për shkak se ajo nuk mbante maskën mbrojtëse për koronavirusin. “30 mijë lekshi jot dhe i Edi Ramës nuk është asgjë”, shprehet Kryemadhi.