Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon që zgjedhjet e 25 prillit të shpallen të pavlefshme për qarkun e Gjirokastrës.
LSI e ka dërguar ankimin ne Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku kërkon shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve në Bashkinë Dropull, dhe duke qenë se kjo ndikon në rezultatin total dhe ndarjen e mandateve në të gjithë qarkun, të shpallen të pavlefshme për të gjithë qarkun.
LSI pretendon se vendimi për të futur në karantinë të detyruar dyjavore të gjithë personat që hynin në Shqipëri, ka penguar të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar. Për më tepër, LSI pretendon se karantinimi i detyruar është zbatuar ende pa u botuar në Fletoren Zyrtare vendimi i Komitetit Teknik të Ekspertëve.
Vendimi, sipas LSI është marrë më datë 19 prill, por është botuar në Fletoren Zyrtare me 21 prill. Gjithashtu LSI pretendon se karantina e detyruar është kërkuar dhe zbatuar edhe për personat që kanë paraqitur një test PCR negativ, pra që nuk ishin të infektuar me koronavirus.