I pyetur në lidhje me humbjen e thellë të LSI-së, e cila mori vetëm 4 mandate në këto zgjedhje, kreu i shtetit iu përgjigj gazetarëve se në të ardhmen do ta shihni se sa vota do të marrë Ilir Meta, duke përsëritur qëndrimin për rikthimin në partinë që vetë themeloi.
“Meta nuk ka marrë pjesë në këto zgjedhje. Ka qenë qytetar dhe votues, nuk ka bërë thirrje për asnjë subjekt politik e kandidat. Në të ardhmen do të shikoni se sa vota merr Ilir Meta. Jam shumë i kënaqur që pavarësisht nga trysnia e dhuna që u ushtrua ndaj qytetarëve dhe skena terrori si në Kavajë e Elbasan është e rëndësishme që 25 prilli falë përpjekjeve të Metës shkoi qetësisht dhe nuk pati probleme serioze. 74 % e qytetarëve kanë votuar. Tani çdo votë duhet të rinumërohet sipas kodit zgjedhor. Merruni me votat, ndiqni procesin me kontestimet e kutitë, mos u merrni me grackat”.
Lidhur me deklaratat e kryeministrit Rama se populli e ka dënuar Metën dhe ekzekutimin do e bëjë parlamenti, presidenti u shpreh se këto janë shashka për të larguar vëmendjen nga 83 mijë votat e pavlefshme, që mund të lëvizin shumë mandate. Ai thotë se Ilir Meta nuk ka kandiduar as si deputet e as kryeministër.
“Asnjë përgjigje për shashkat që duan të largojnë vëmendjen tuaj nga mbi 83 mijë vota të pavlefshme dhe duhet parë se si janë bërë të pavlefshme se nuk ka mundësi të justifikohet ky rekord. Mund të lëvizin shumë mandate këtu. Ne duhet të mbajmë vëmendjen këtu, por të ishte për këto histori Ilir Meta kishte për të ikur 20 herë. Më 24 korrik 2022 do e bëjmë konferencën e fundit. Përqendrohuni te respektimi i çdo vote, të numërohet e rinumërohet, asnjë kuti të mos ndërrohet dhe asnjë përpjekje për të mbuluar çdo krim”.
I pyetur nëse dështoi Kryemadhi në këto zgjedhje ai u përgjigj shkurt: “Pyeteni vetë zonjën në fjalë për këtë çështje unë po ju ftoj të shikoni procesin me transparencë të plotë”.