Kulturë Lubonja, Blushi, Zhiti përkthehen në gjuhë të huaja

Lubonja, Blushi, Zhiti përkthehen në gjuhë të huaja

Gjashtë autorë të letërsisë shqipe do të flasin në gjuhë të tjera. Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka shpallur sot përmes një ceremonie 6 autorët, përkthimet e së cilëve do t’i mbështesë në gjuhë të huaja.

Visar Zhiti, Fatos Lubonja, Ben Blushi, Ismail Kadare, Romeo Collaku, Gezim Qendro janë emrat që do të flasin në greqisht, italisht dhe lituanisht.

“Përkthimi i librit shqip në gjuhë të tjera është një ndër prioritetet kryesore të QKLL. Duke iu referuar aplikimeve shihet që harta e gjuhëve ku libri shqip përkthehet është rajonale. Ne do të përpiqemi të krijojmë mundësi për ta bërë librin dhe autorin shqiptar pjesë të gjuhëve të mëdha siç është anglishtja”, tha drejtorja e QKLL, Alda Bardhyli. Juria u kryesua nga prof.dr Mimoza Kore e cila e quajti të rëndësishëm mbështetjen ndaj përkthimit për një kulturë.

“12 aplikime nga botues të huaj iu përgjigjën thirrjes së Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, për të mbështetur financiarisht botimin e autorëve dhe letërsisë shqipe në gjuhë e kultura të tjera dhe 23 aplikime nga botues shqiptarë iu përgjigjën thirrjes për të mbështetur financiarisht botimin e letërsisë së huaj në gjuhën shqipe”, u shpreh drejtorja e QKLL-së.

Ndarja e çmimeve u përshëndet edhe nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila vuri në pah rëndësinë e përkthimit dhe ndërveprimin e kulturave.

Bardhyli u shpreh më tej se “dosjet e secilit prej aplikuesve iu dorëzuan ekspertëve të fushës së përkthimit, zgjedhur nga QKLL-ja, të cilët analizuan në mënyrë profesionale përkthimet sipas gjuhëve përkatëse”.

Juria e kryesuar nga prof. dr Mimoza Kore vendosi të jenë fitues 6 tituj fitues nga 12 aplikime për “Fondin e përkthimit letrar nga gjuha shqipe në gjuhë të huaj” si dhe 6 fitues nga 23 aplikime për “Fondin e përkthimit letrar nga gjuha e huaj në gjuhën shqipe”.

Kryetarja e jurisë çmoi rëndësinë e përkthimeve dhe theksoi se “çdo letërsi europiane ka filluar me përkthimet, edhe populli shqiptar u bë me libër në sajë të përkthimit, ishte Buzuku që përktheu Biblën në gjuhën shqipe. Sot përkthimi është kthyer në mjeshtëri dhe mision”.

Kore vuri në pah vështirësinë e përzgjedhjes së fituesve dhe falënderoi të gjithë aplikuesit dhe shtëpitë botuese që u bënë pjesë e këtij projekti, ndërsa bëri me dije dhe 12 fituesit, nga 6 për secilin fond.

FONDI I PËRKTHIMIT NGA SHQIPJA NË GJUHË TË TJERA

Shtëpia Botuese/Përkthyesi/Autori/Titulli origjinal i veprës/Gjuha e përkthimit

1- Plethora, Eleana Zhako, Fatos Lubonja, Ridënimi, Greqisht

2- Besa Mateo, Mandala, Visar Zhiti, Rrugët e ferrit, Italisht

3- Vaxikon (gr), Yorgos Goumas, Ben Blushi, Otello, Arapi i Vlorës Greqisht

4- Petergailis (Lit.), Dens Dimin, Ismail Kadare, Gjenerali i ushtrisë së vdekur, lituanisht

5- Eurasia (Gr), Eleana Zhako, Gëzim Qendro, Heronjtë janë të uritur, Greqisht

6- Salento, Eda Derhemi, Francesco Ferrari, Romeo Collaku, Mjaltë në teh, Italisht

FONDI I PËRKTHIMIT NGA GJUHA E HUAJ NË GJUHËN SHQIPE

Shtëpia Botuese/Përkthyesi/Autori/Titulli i veprës/Gjuha nga është përkthyer

1- Dudaj, Adrian Beshaj, Isabel Allende “Përtej dimrit”, Spanjisht

2- Onufri, Granit Zela, William Faulkner Absalom, Absalom, Anglisht

3- Dituria, Oriana Tamburi, “E bardhë vrastare”, Anglisht

4- Pika pa Sipërfaqe, Arben Idrizi, Roberto Calasso, Martesa e Kadmit dhe Harmonisë Italisht

5- Pegi, Gentiana Kasemi, Kazuo Ishiguro, Anglisht

6- Albas, Edlira Lloha, Wladyslaw Reymont, Komediana, Polonisht

Gjashtë vepra prej secilit Fond do të mbështeten nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.