Fatos Lubonja e sheh me një entuziasëm të ftohtë vendimin e opozitës për djegjen e mandateve.
Ai ka përdorur një shprehje italisht për të thënë se ajo mund të ngjajë edhe me një “salto nel buio”, hedhje në errësirë, duke mos qenë i sigurtë se ku shpie ky vendim, që sipas analistit duhej të ishte diskutuar dhe debatuar më shumë.
Pa u shprehur kundër kësaj lëvizjeve që ai e pranoi se mund të zgjojë edhe përgjumjen e ndërkombëtarëve, ai pati rezerva se largimi i Ramës nuk mund të barabitet me shkatërrimin e gjithçkaje në Shqipëri.
Lubonja i fikësohet edhe lënies bosh të terrenit parlamentar nën dominimin e kryeministrit, prandaj ai hodhi si opsion, që PD si partia më e madhe të djegë mandatet, ndërsa LSI-a të vazhdojë luftën parlamentare.
Megjithatë, konsistent në qëndrimet e tij Lubonja tha në News 24 se Rama mbetet e keqja më e madhe.
“Nuk e prisja se opozita vetë dhe opinioni ka qenë i ndarë për lënien e mandateve.
Ka qenë një debat i hapur, që të bën të mendosh se pas asaj që ndodhi ditën e protestës, është marrë ky vendim.
Jemi në një situatë që tentoj të mos jap gjykime të prera, se është mjaft kontradiktore.
Por një gjë e them me bindje të plotë se këtu kemi një regjim, një dizenj politik të Ramës, që s’ka vizion për të ndërtuar hapësira demokratike, por një dizejn autoritarist për të kontrolluar pushtetet dhe për të nxjerrë jashtë loje çdo kundërshtar.
Drejtësia është kapur, media po ashtu. Kanë mbetur disa hapësira që ti lejon vetë regjimi.
Ideja e fundit që lëshoi Basha është që unë kështu siç jam, jam fasadë prandaj do ta heq fare këtë fasadë.
Mund të dalë më mirë kjo? Apo më keq kjo është një pikëpyetje, s’kam një mendim të qartë”, tha Lubonja.
Megjithatë, analisti sheh dy anët e këtij vendimi, një pozitive dhe një negative.
“Ana pozitive për opozitën është fakti se në këtë mënyrë delegjitimohet në kuptimin ndërkombëtar, demaskohet kjo lloj Shqipërie që paraqitej si demokraci.
Por ana e keqe është se kjo nënkupton që ne presim sërish të na shpëtojnë ndërkombëtarët.
Sa mund t’i kesh në krahë këta ndërkombëtarë, si mbështetës të një stabiliteti? Të marrësh ndërkombëtarët ti bësh gjyqtarë në këtë situatë është pak i vështire”, thotë ai.
Në këtë situatë, vijoi Lubonja, populli shqiptar ka zgjedhur të ikë, s’ka kohë të merret me politikë, pasi është i demoralizuar.
Ai tha ndër të tjera se për të arritur deri në këtë pikë, kryedemokrati duhet të ketë bërë disa llogari, se kush e mbështet në këtë luftë politike.
“Kur të bësh llogarinë e një lufte politike duhet të llogarisësh çfarë ushtarësh ke.
Si i ka Basha ushtarët. Po kolonelët, këta deputetët si i ka?
Sepse në fund secili ka një familje për të mbajtur, do një rrogë.
Mos harrojmë që regjimi gjen mënyra për ti joshur.
Prandaj unë do kërkoja më shumë debat lidhur me këtë vendim, edhe pse është vendim i marrë tashmë.
Mund ta kem unë gabim, por kam qenë më shumë për luftë parlamentare, për demaskime skandalesh.
Kam shprehur dyshime se nuk dihet sa deputetë të tillë, ushtarë të tillë të vendosur dhe popull të tillë që rebelohet kemi”, përfundoi Lubonja.