Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, prezantoi këtë të hënë para gazetarëve kandidaturën e tij në Primaret që do të zhvillohen për Bashkinë e Elbasanit.
Boçi u shpreh se e di që beteja e tij është e vështirë, por shtoi se me mbështetjen e qytetarëve do t’ia dalë.
“E di shumë mirë që beteja ime nuk është e lehtë. Beteja ime është me pushtetin, beteja ime është me Edi Ramën, me korrupsionin, me keqqeverisjen, por si çdo rast tjetër jam i bindur që me mbështetjen e sinqertë të qytetarëve të Elbasanit unë do ia dal kësaj beteje”, u shpreh Boçi.
I pyetur nëse e ka mbështetjen nga grupi i Enkelejd Alibeajt, ai tha: “Dakordësia mes bazës dhe pjesës që pretendon se mban vulën e PD është e dëshmuar, në pjesëmarrjen e djeshme të demokratëve dhe jo vetëm, kontaktet e mia për çdo person mendon ndryshe, do vazhdojnë të jetë të ngushta, sepse interesi është për qytetarët e Elbasanit”.
Zgjedhjet vendore pritet të zhvillohen më 14 maj.
Më 6 mars përfundon afati për paraqitjen e kërkesave për regjistrimin e partive politike, jo më vonë se 70 ditë para datës së zgjedhjeve.
Më 27 mars përfundon afati për paraqitjen e kandidatëve për kryetar bashkie dhe listave shumë-emërore për anëtarë të Këshillit Bashkiak.