Deputetja e Partisë Demokratike Flutura Açka tha në seancën plenare të ditës së sotme se edhe pse ajo po akuzohet nga Gazment Bardhi se po përkrah Lulzim Bashën, ajo në të vërtet po përkrah Partinë Demokratike.
Sipas saj luftën në PD po e bëjnë “dy B të tërbuar dhe një B i vaksinuar”, ky i fundit sipas saj është Basha.
“Dua t’i them zotit Bardhi se unë jam në Partinë Demokratike ku i kam gjetur kolegët e mi të nderuar dhe ku do i lë një ditë. Në fakt zoti Bardhi dhe kolegë të mi të Partisë Demokratike, i vetmi mëkat që kam unë i ngjason personazhit të Kamysë, i cili nuk qau dot nënën, unë nuk kam qarë dot babain, prandaj dhe unë anatemohem sot e kësaj dite në Parlament.
Kjo është një lloj KPD-je po pak më ndryshe se atë e bëri një Fatos Nano, ndërsa këtë sot po e bëjnë tre B të lënduar, ose më mirë, dy B pak të tërbuar dhe një B i vaksinuar. Prandaj se si do dalim ne nga ky qorrsokaku ku kemi hyrë si opozitë unë nuk e di. Zonja kryetare merrni zgjidhjen ju e bëjeni sido që të jetë, bëjeni siç është drejt”, tha Flutura Açka.