Flisnin të njëjtën gjuhë dhe adhuronin perëndi të njëjta. Sipas studiuesit Louis Godart, konflikti i treguar nga Homeri u luftua nga dy popullsi të ndryshme greke.
Një tezë që përgatitet të rishkruajë historinë epike të luftës që njohim sot. Në sulmin dhe në pushtimin e Trojës të treguar nga Homeri nuk ishin dy popuj të ndryshëm që u përplasën, por bëhet fjalë për një “luftë civile” mes Akejve të kontinentit europian dhe atyre që mbronin qytetin.
Zbulimi vjen nga Louis Godart, akademiku belg i natyralizuar si italian. Në një artikull të publikuar në revistën “Archeologia Viva”, Godart evidenton pasazhe të ndryshme nga Iliada ku poeti tregon afërsitë gjuhësore dhe kulturore të dy fraksioneve në konflikt.
Dy fytyra të të njëjtit popull – “Grekët dhe trojanët flisnin të njëjtën gjuhë, kishin të njëjtat armatime dhe adhuronin perëndi të njëjta”, shpjegon Godart. Homeri në veprën e tij nuk përmend kurrë probleme komunikimi mes dy qytetërimeve. Aq më tepër që emrat trojanë, Hektor dhe Priam, ishin emra akejsh”. Sipas studiuesit, “për të komanduar qytetin gjatë fazës VIi (sipas numërimit të dhënave në shtresa të ndryshme të qytetit) ishte një aristokraci nga Mikena”.
Beteja që inspiroi Homerin ishte “një luftë ku u përplasën popullsitë e gadishullit dhe të Kretës dhe atyre që ishin vendosur në Azinë e Vogël të ditëve të sotme”.
Konfirmimi i shkencës – “Kërkimet për Trojën të drejtuara nga misioni arkeologjik i universitetit gjerman të Tübingen ndryshojnë radikalisht perspektivën tonë të historisë për Anatolia-n (Turqinë e sotme)”, deklaron Godart. Falë gërmimeve të bëra në Troja VIi, studiuesit kanë gjetur gjurmë të vazove në brendësi të mureve të përdorura për furnizime të nevojshme për të përballuar sulmin. Vazot janë shkruar me dialektin e akejve të mikenasve.
Profili i Godart – Louis Godart është konsideruar si një nga ekspertët më të mirë të qytetërimeve të Detit Egje. Është drejtues i katedrës së Filologjisë së Universitetit “Federico II” në Napoli dhe është këshilltar për Ruajtjen e Trashëgimisë Artistike i Presidencës së Republikës italiane. Rreth ngjarjeve të treguara në poemat homerike ka publikuar veprat “Ari i Trojës. Historia e vërtetë e thesarit së zbuluar nga Schliemann” (me Gianni Cervetti), dhe së fundmi veprën “Nga Minoseu te Homeri. Zanafilla e qytetërimit të parë europian”. /American Eye