Brukseli kundërshton deklaratat e CEO të AstraZeneca, Pascal Soriot, dhe kërkon që të bëhet publike marrëveshja. BE kërkon që të anashkalohet klauzola e fshehtësisë.
Soriot tha se marrëveshja me BE bazohet në një klauzolë dhe se ajo nuk e detyron kompaninë për një datë të caktuar dorëzimi.
Intervista pasoi njoftimin e kompanisë për një reduktim të furnizimit të vaksinave të BE në tremujorin e parë. Një zyrtar i BE tha se klauzola është standarde në kontratat me prodhuesit e produkteve në zhvillim.
Burime brenda BE-së, të cilave u referohen mediat italiane, sqarojnë se nuk është parashikuar që prodhimi i dozave për BE të kufizohet në fabrikën në Belgjikë, por gjithashtu mund të bëhet në Britaninë e Madhe.
Një takim i komitetit drejtues për vaksinat e BE me AstraZeneca ishte caktuar për sot në orën 6.30 pasdite, por është shtyrë për nesër.
Ministri i Shëndetësisë i Austrisë, Rudolf Anschober, deklaroi se negociatat midis AstraZeneca dhe BE, me kërkesë të kompanisë britanike-suedeze, janë shtyrë.
“Sipas mendimit tim, ky nuk është një problem i madh“, tha ministri austriak dhe përsëriti që AstraZeneca duhet të dorëzojë vaksinat në përputhje me marrëveshjen e arritur më parë, raporton Reuters.
Ditët e fundit, BE-ja ka kërkuar me insistim që kompania të japë shpjegime lidhur me vendimin për të reduktuar dërgesat e vaksinave në BE në tremujorin e parë të këtij viti.
Të hënën, BE njoftoi nisjen e kontrollit mbi eksportin e vaksinave të prodhuara në territorin e vendeve anëtare. Javën e kaluar, zyrtarë të AstraZeneca-s thanë se BE ishte nuk i ka plotësuar objektivat e furnizimit me vaksina për shkak të problemeve në procesin e prodhimit. Në kushtet kur edhe furnizimi me vaksinat Pfizer- BioNTech është në ngërç, BE ka vendosur që tani e tutje, kompanitë që prodhojnë vaksina në vendet e Bllokut do të duhet të “japin njoftim paraprak sa herë që duan të eksportojnë vaksina në vendet e treta“.
Ajo që po zhvillohet aktualisht mund të quhet pa drojë “lufta e vaksinave”. Amerika kundër Europës, Londra kundër Brukselit: të gjitha në kërkim të sasive masive të dozave për t’u përballur me pandeminë.