Opinione Lufta franko-spanjolle e çunave të rrugës “Bardhyl”

Lufta franko-spanjolle e çunave të rrugës “Bardhyl”

Nga Alfred Peza

Një vrasje e ndodhur në Tiranë, ka trazuar arkivat e mediave dhe kujtesën kolektive të qytetit, duke rishfaqur emra dhe data të harruara, apo të ndryra diku nëpër sirtaret e memories. Është një nga historitë tona më tipike të post komunizmit dhe viteve të tranzicionit. Historia e dy adoleshentëve të një lagje, që rriten bashkë me ëndrrën për të ndryshuar mizerjen që na rrethonte të gjithëve, duke ikur nga sytë këmbët prej këtu, për të realizuar me çdo kusht e çmim, ëndrrën tonë me perëndim.

Kur i rishohim tani arkivat me anije të tejmbushura që niseshin drejt brigjeve italiane, dokumentarë, filma apo kujtime me aventura nga më të pabesueshmet në fillimvitet ‘90, përsëri kuptojmë se ende nuk janë thënë të gjitha. Me sa duket që nuk ka regjizor dhe shkrimtar në botë, që ta rroki me të gjitha përmasat dhe dimensionet e veta reale, dhimbjen tonë të pashuara prej hallemëdhenjsh të përjetshëm. Shumë sakrifikuan edhe jetën, të tjerë u gjymtuan, u sëmurën dhe shumë u kthyen. Por shumica iku për të mos u kthyer më këtu, pa ia dalë.

Sedra se çfarë do të mendonte familja, shokët që kishin lënë këtu, kushërinjtë, komshinjtë, rrugica, mëhalla, fshati a qyteti, i mbajti shumë e shumë prej atyre që ishin tashmë atje, që të mos riktheheshin. Edhe kur ishin pa punë, edhe kur ishin pa bukë, edhe pa dokumenta, edhe pa viza, edhe pa strehë, edhe pa veshje, edhe pa prespektivë, edhe pa asnjë shans në horizont. Ndaj bënë gjithçka për të mbijetuar, derisa dikur, dikush a diçka, feksi në jetën e secilit prej tyre, për ti marë për dore drejt një fati të ri.

Shumica i bëri të gjitha llojet e punëve që kurrë nuk do e kishin marë as mundimin për ti bërë në Shqipëri. Mbijetuan, mësuan, u stabilizuan, u integruan, u arsimuan, u bënë me zanate e më pas dalëngadalë, me motorra, makina, shtëpi me qera, e me shtëpi të vetat. Derisa dikush nisi të merej me tregëti, e dikush të bënte biznes, derisa sot me dhjetra mijëra biznese e prona kudo nëpër botë, kanë tapitë e qytetarëve shqiptarë, duke u bërë qytetarë të integruar e deri të barabartë, të vendeve që i mirëpritën, edhe atëherë kur nuk i deshën.

Sigurisht që emigrimi nuk është një dukuri e aq më pak një histori, vetëm shiptare. E si e tillë, edhe kjo jona, për të mos thënë e njëjtë, është e e ngjashme me historinë e të gjithë poujve të tjerë që vazhdojnë e emigrojnë, ose që dikur kanë qenë si ne e sot janë mikpritësit tanë dhe shumë emigrantëve të tjerë nga kudo nëpër botë.

Ndaj, përveç ciklit të integrimit, e gjithë kjo histori ka edhe anën e vet të errët. Atë të atyre qindra e mijëra të tjerëve, që ndoqën një rrugë tjetër për të mbijetuar e për tia dalë sipas mënyrës së vet. Rrugën e krimit në përgjithësi, e ca më pak, atë të trafiqeve ilegale, që nga droga, armët, prostitucioni, bandat, organizatat kriminale, që sjellin herët ose vonë edhe shantazhin, kërcënimet, atentatet, plagosjet dhe vrasjet. Duke krijuar vit pas viti, e dekadë pas dekade, një zinxhir të gjatë e të pandërprerë dhune, frike, hakmarrje e gjakmarrje. E cila eksportohet edhe në Shqipëri, sa herë që kthehen e rikthehen, në vendlindje.

Një e tillë duket të jetë edhe historia që po konsumohet orët e fundit nëpër media, pas vrasjes së Devi (Defrim) Kasmit, i cili sipas policisë dyshohet se u ekzekutua në një atentat të tipit mafioz, për shkak të një hakmarrje nga trafiqet e drogës në Spanjë dhe Francë, ku viktima dhe të dyshuarit si ekzekutorë apo urdhërues, kishin vite që kishin emigruar. E ku pas shoqërisë së ngushtë fillestare, bashkë me aktivitetet ilegale, kanë nisur edhe fërkimet e para. Me sa duket lakmia dhe ethet e arit i kanë vrarë fillimisht ëndrrat e tyre, më pas shoqërinë e tyre të dikurshme nëpër rrugicat e lagjet e vjetra të Tiranës, derisa të dyja palët ishin përbetuar në fund, që të vrisnin edhe fizikisht njëri tjetrin.

Pasi kishin ndarë hesapet financiare dhe më pas edhe zonat e influencës në Spanjë, mëria kishte qenë aq epike sa as territeori i një shteti si ai, nuk i ka mbajtur dot dy shokët që kishin ndarë dikur çdo gjë me njëri tjetrin si mes vëllezërish e kaluar vëllezërish. Ndaj njëri kishte qëndruar, ndërsa tjetri kishte shkuar për të pushtuar Francën. E bashkë me territoret, kishte filluar edhe lufta e re franko- spanjolle e dy “çunave” të rrugës “Bardhyl”. Ka në këtë luftë edhe atentate, edhe plagosje, edhe prita, edhe rekrutime nga kampet armike, edhe tentativa, derisa erdhi vrasja e njërit. Ndërkohë që sipas policisë, tjetri është i dyshuari kryesor dhe është shpallur tashmë, edhe zyrtarisht në kërkim.

Përpara kësaj, rezulton se ka patur të tjera procese gjyqësore në Shqipëri, për çështje në ngarkim të tyre, e për të cilat nuk u akuzuan ose nuk u gjykuan, apo që mbeten ende në proces pa u mbyllur. Domart Konjari që akuzohet si i përfshirë në këtë vrasje, është ndaluar në nëntor 2015 me një pasaportë të falsifikuar në tentativë për të kaluar kufirin grek dhe më 14 mars 2016 është liruar. Ka qenë momenti kur Ambasada Franceze ka bërë një reagim shumë të ashpër, ka patur edhe letra zyrtare dërguar autoriteteve shqiptare, për shkak se ai figuronte ndërkohë që është liruar, në kërkim ndërkombëtar për llogari të shtetit francez, në lidhje me një dënim me 10 vjet heqje lire, nën akuzën e trafikut të drogës.

Kaq mjafton për të kuptuar se nëse drejtësia shqiptare do të kishte funksionuar siç duhej, ndoshta kjo vrasje mund të mos kishte ndodhur kurrë. Të paktën për aq kohë, sa njëri prej protagonistëve, do të ishte dorëzuar e do të ishte duke vuajtur dënimin.

Kjo ishte një copëz modeste pasqyrëze e një historie ëndrrash që përfundoi në një pritë gjaku, e që mund të ndihmojë sadopak për të parë nga një kënd tjetër, mënyrën se si ka funksionuar drejtësia shqiptare përgjatë këtyre 27 vjetëve. Nëse do të kishte funksionuar si ajo e Spanjës apo e Francës, përveç të tjerash, këtë vrasje dhe shumë të tjera që e kanë zanafillën andej, për tu importuar e për tu ekzekutuar këtu, do na e kishin kursyer./Alpenews.al