Bota Lufta kundër drogës, Trump kërkon nga Kolumbia të rinisë operacionin e “ndaluar”

Lufta kundër drogës, Trump kërkon nga Kolumbia të rinisë operacionin e “ndaluar”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump priti në një takim në Shtëpinë e Bardhë homologun kolumbian, Ivan Duque, me të cilin diskutoi rreth zhvillimeve të fundit në luftën kundër narkotikëve.

Trump kërkoi nga presidenti Duque që vendi i tij të rinisë spërkatjen ajrore të fushave me bimën e kokës, fushatë kjo e ndaluar prej vitit 2015.

Gjykata vendosi 5 vjet më parë që kjo lloj spërkatje ajrore ndaj fushave me bimë narkotike të pezullohet pasi herbicidi i përdorur mund të shkaktojë kancer si dhe ndot ndjeshëm tokën.

“Më thënë të drejtën duhet të realizohet një spërkatje, nëse nuk e bëjmë këtë gjë nuk mund të shpëtojmë prej trafikantëve të drogës në Kolumbi”, u shpreh presidenti Trump.

Ndërsa Duque u përgjigj me diplomaci duke thënë se vendi i tij do të bëjë gjithçka për të luftuar problemin e drogës duke përfshirë këtu dhe shkatërrimin në terren të të mbjellave me bimë narkotike që përdoret për prodhimin e kokainës.

Sipas raportit të fundit të Kombeve të Bashkuara sipërfaqja e tokës që përdoret për të mbjellë koka në Kolumbia ka arritur në shifra rekord. Kolumbi prej vitesh po përballet frontalisht me prodhuesit e kokainës dhe SHBA akordon çdo vit mbi 350 milionë dollarë për të luftuar këtë fenomen.