Zv/kryeministri Erion Brace në një dalje për mediet pasditen e kësaj tw marte, bëri me dije se aksioni kundër informalitetit do të shtrihet nga sot e tutje edhe “te konsumatorët e mëdhenj të karburanteve në vend që zënë gati 40-45 % të konsumit të karburanteve ne Shqipëri”.
Janë dy kategori biznesesh të mëdha, të cilat shfrytëzojnë karburantet dhe deri në fund të muajit shtator kanë afat për të certifikuar kapacitetet e depozitave që mbajnë në ambientet e kompanive.
“Doja ti bëja një thirrje dy kategorive, konsumatorë të mëdhenj që kanë depozita në ambientet e kompanive e mëdha të ndërtimit, të ndërtimit të rrugëve, të prodhimit të materialeve të ndërtimit dhe transportit, si kompanitë e distribucionit, të ofrimit të shërbimeve në tregti, për kompanitë e mëdha edhe të prodhimit, që prodhojnë në krahun tjetër produkte të ndryshme që kanë depozita në ambientet e tyre dhe për fat të keq janë të paçertifikuara nga autoritetet ligjore, që nga sot deri në fund të shtatorit, t’i drejtohen organeve ligjore për të certifikuar kapacitetet e depozitave të tyre.
Përtej kësaj ka edhe një kategori tjetër që sjell në vëmendje faktin që kanë depozita pranë kompanive, por mbi të gjitha nuk konsumojnë naftë, por janë pjesë e operacioneve në letra të tregtimit të karburanteve. Secili do jetë pjesë e hetimit dhe bashkë me të, për këtë paligjshmëri do mbajnë përgjegjësi edhe gjithë inspektorët e organeve fiskale që kanë lejuar e certifikuar këtë paligjshmëri”, tha Braçe.