Monedha e përbashkët ka shënuar një tjetër rritje të fortë në tregun e brendshëm gjatë ditës së sotme, duke arritur nivelin më të lartë në gati një vit.
Forcimi i monedhës së përbashkët, ka tërhequr dhe të gjitha valutat e tjera, ku më e fortë ishte rritja e dollarit, i ndihmuar dhe nga mbiçmimi i tij në bursat ndërkombëtare.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 123.07 lekë, ose 0.39 lekë më shumë se një ditë më parë. Në vetëm 4 ditë, euro është mbiçmuar me 1.75 lekë, rritja më e fortë që nga periudha kur sapo kishte filluar pandemia në mars 2020.
Euro në tregun e brendshëm është rritur, ndonëse në bursa ajo është e dobët, duke reflektuar për një kërkesë të lartë të brendshme.
Në bursat ndërkombëtare, euro po tregtohet me 1.1 dollarë, niveli më i ulët në gati një vit, si rrjedhojë e shqetësimeve që ka sjellë ndikimi i luftës Rusi-Ukrainë në ekonominë europiane.
Rritja e fortë e euros ditët e fundit, sipas aktorëve të tregut lidhet me krizën e çmimeve që ka shkaktuar lufta në Ukrainë. Rritja e çmimeve të lëndëve të para ka shtrenjtuar importet, ndërsa frika se ato mund të rriten edhe më shumë në të ardhmen po shtyn drejt blerjes së sasive më të mëdha të mallrave.
Burime nga bankat tregtare bëjnë të ditur se ditët e fundit ka pasur blerje të mëdha të euros nga kompani importuese, kryesisht nga sektorit energjetik, kompani të industrisë përpunuese, të sektorit farmaceutik, etj. Sipas tyre, me shumë të ngjarë kursi i euros ka hyrë në një spirale rritëse, sepse një mbiçmim i shpejtë, i kombinuar me situatën shqetësuese globale, zakonisht i shtyn aktorët e tregut në panik dhe faktori psikologjik do të luajë një rol të madh.
I ndikuar dhe nga pozitat e forta në bursa, dollari në tregun vendas shënoi një rritje më të fortë, duke u këmbyer me 111.81 lekë, niveli më i lartë në gati dy vjet, që nga prilli i vitit 2020.
Me pasiguritë e shtuara, aktorët e tregut pohojnë se është e vështirë të parashikohet se si do të vijojë ecuria e kursit, raporton Monitor.