Turqia po kërkon të rishkruajë të gjitha rregullat për të marrë kontrollin e Mesdheut. Javën e kaluar, qeveria turke nënshkroi një marrëveshje detare me Libinë, çka i mundëson Turqisë të kontrollojë të gjithë Mesdheun Lindor. Edhe pse është e qartë se kjo marrëveshje do të kundërshtohet nga autoritetet ndërkombëtare, ky pakt i mundëson Ankarasë jo vetëm shtrirjen e ndikimit në rajon, por edhe kapjen e burimeve energjetike të Mesdheut. Ndërkohë që kjo nismë ka alarmuar Greqinë, ekspertë amerikanë e komentojnë këtë marrëveshje si një iniciativë të presidentit Erdogan për të rikthyer ndikimin rajonal që humbi gjatë një shekulli më parë kur ra Perandoria Osmane.
Lufta për naftën dhe ujin
Ankaraja është përpjekur prej kohësh të shtrijë ndikimin e saj në jug dhe në perëndim, sa më pranë brigjeve greke por edhe atyre siriane. Përpjekjet e Turqisë për të ushtruar kontroll mbi këto ujërat lidhen jo vetëm me pretendimet territoriale, por edhe me qëllimin për të fituar para nga burimet natyrore të Mesdheut Lindor. Për dekada të tëra, Turqia është përjashtuar nga përfitimet e naftës dhe gazit në Mesdheun Lindor, i cili ka rreth 3.5 trilion metra kub gaz natyror dhe 1.7 miliardë fuçi nafte të papërpunuar. Greqia, Qiproja, Egjipti dhe Izraeli kanë qenë më të shpejtë dhe më të suksesshëm se Turqia në identifikimin e fushave të naftës dhe gazit përgjatë brigjeve të tyre. Pasi Izraeli identifikoi dy fusha gazi natyror në vitin 1999, qeveria e tij, së bashku me Greqinë, Qipron dhe Egjiptin, ishte e shpejtë për të arritur marrëveshje që përcaktonin zonat ekskluzive ekonomike dhe të fillonin shpimet për naftë me kompani shumëkombëshe. Kjo u mundësoi këtyre vendeve që jo vetëm të përfitonin financiarisht nga nafta, por edhe të përmirësonin pavarësinë e tyre energjetike.
Ndërkohë, Turqia ka luftuar pothuajse kundër të gjithë fqinjëve të saj mesdhetarë. Anijet e kërkimit të naftës dhe shpimet në det të thellë i kanë kushtuar Ankarasë mbi 1 miliard dollarë në dekadën e kaluar, dhe nuk kanë dhënë akoma ndonjë zbulim madhor të naftës ose gazit. Në këto kushte, Turqia ka qenë e detyruar të fillojë kërkimet në ujërat e qeverive fqinje, përkatësisht pranë Greqisë dhe Qipros.
Por sigurisht marrëveshja me Libinë për shtrirjen e sovranitetit deri në Kretë, nuk ka të bëjë vetëm me naftën. Rivalitetet në Mesdhe janë të vjetra aq dhe të egra. Pretendimet historike të Ankarasë në Detin Egje dhe në Qipro dhe ishuj të caktuar grekë kanë alarmuar fqinjët e saj mesdhetarë. Për më tepër, Turqia nuk është palë në marrëveshje të mëdha ndërkombëtare ligjore detare, të tilla si Konventa e Kombeve të Bashkuara mbi Ligjet Detare, duke i dhënë asaj mundësinë e përcaktimit të zonave ekonomike dhe ujërave territoriale në rajon. Greqia dhe fuqitë e tjera mesdhetare kanë krijuar një strategji rajonale për të larguar Turqinë nga projektet e tyre ekonomike. Si shembull kryesor qëndron gazsjellësin “EastMed”, një tubacion gazi natyror nënujor që do të dërgojë gazin nga fushat izraelite qipriote të naftës dhe në të gjithë Greqinë dhe Italinë. “EastMed” prite t’i zgjerojë eksportet e gazit edhe në Europë, ku kërkesa për energji po rritet. Por pavarërisht faktit se projekti kryqëzohet me ujërat turke, qeveritë mesdhetare e kanë përjashtuar Ankaranë, duke e perceptuar atë si një rival të padëshirueshëm, edhe pasi Turqia ofroi të kompensojë kostot nënujore të tubacionit. Për më tepër, Izraeli, Egjipti, territoret palestineze, Jordania, Greqia dhe Qipro përjashtuan Turqinë edhe nga Forumi Mesdhetar i Gazit, një platformë bashkëpunuese mbi burimet natyrore. Prandaj Turqia është duke u bërë gjithnjë e më e agresive në atë që e sheh si territorin e saj historik dhe legjitim.
Marrëveshja Turqi-Libi
Gjithçka filloi më 27 nëntor, Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan u takua për dy orë me kreun e Qeverisë libiane, Fayez Sarraj. Ata dolën me dy memorandume mirëkuptimi, një mbi sigurinë dhe bashkëpunimin ushtarak dhe një tjetër të quajtur “Kufizimi i Juridiksioneve Detare.” Turqia e ka mbështetur Sarraj ndër vite, pjesërisht për shkak të interesit të saj për rezervat e naftës në Libi ,e cila vlerësohet të jetë më e madhja në Afrikë dhe e 10-ta më e madhe në nivel global.
Marrëveshja përcaktonte zona të reja detare, në të cilat të dy palët ushtrojnë sovranitet. Qeveria turke la të nënkuptojë se marrëveshja detare do të çonte në kërkime të naftës dhe gazit në brigjet e Libisë që do të mbështesin gjithashtu rimëkëmbjen ekonomike të Libisë pas luftës së saj civile.
Në letër, Ankaraja e shtrin sovranitetin detar deri në brigjet e Kretës, dhe nëse do të zbatohej, do të bllokonte në mënyrë efektive çdo përpjekje të Greqisë për të zbatuar marrëveshjet e veta me Egjiptin, Izraelin dhe Qipron. Marrëveshja prek në mënyrë të drejtpërdrejtë tubacionin “EastMed” duke e përjashtuar nga eksportet. Marrëveshja detare i mundëson Turqisë të rritë kontrollin e saj detar në zonat ku është planifikuar të kalojë tubacioni nënujor, duke bllokuar ndërtimin dhe funksionimin e tubacionit. Por më në mënyrë të konsiderueshme, marrëveshja detare i ofron Turqisë një ndikim më të madh strategjik duke filluar nga Afrika e Veriut deri në Detin Egje deri në Gjirin e Antalias dhe sfidon kundërshtarët e Turqisë t’i përgjigjen ri-interpretimit të kufijve të saj sovranë detarë.
Strategjia e Turqisë në Mesdhe mbështetet në dy qasje. Së pari, qeveria turke e di se nuk mund të shkëputet e vetme nga izolimi i saj, kështu që ka kërkuar dhe gjeti dy partnerë në rajon: Republikën Turke të Qipros Veriore dhe Libinë. Këta aleatë janë të dobët, por kjo i bën ata të manovrueshëm. Qiproja Veriur varet nga mbështetja turke për ekzistencën e saj. Armiku i partisë libiane GNA, më të cilën Turqia lidhi marrëveshjen, ka mbështetjen e Arabisë Saudite, Rusisë dhe Egjiptit, disa nga rivalët më të mëdhenj të Turqisë.
Turqia e shoqëroi qëllimisht marrëveshjen detare me një seri premtimesh për sigurinë e Libisë, duke zgjeruar praninë detare turke në portet libiane, duke i dhënë Ankarasë mundësinë të kontrollojë këtë pjesë të Mesdheut.
Elementi i dytë i strategjisë së Turqisë mbështetet në përdorimin e një narrative historike për të mbrojtur të drejtat turke në rajon. Zyrtarët turq kanë filluar t’i referohen “Atdheut blu”, konceptit se bregdeti lindor i Kretës dhe gjysma e detit Egje, gati 18,000 milje katrorë i përkasin Turqisë. “Atdheu Blu” është një strategji që gëzon mbështetje të gjerë në Turqi, pasi e rikthen Ankaranë në kulmin e fuqisë gjeopolitike të perandorisë. Erdogan madje pozoi para një harte të Atdheut Blu kur prezantoi marrëveshjen.
Sigurisht, Ankaraja është e vetëdijshme që koncepte të tilla shkelin sovranitetin grek dhe se çdo përpjekje për konsolidimin ushtarak mund të shkaktojë një krizë ndërkombëtare. Por qëllimi përfundimtar i Turqisë është imponimi i ndikimit të përhershëm turk në rajon.