Sport Luftë frontale/ PSG heq muralen për Mbappe, edhe fanellat tërhiqen nga tregu

Luftë frontale/ PSG heq muralen për Mbappe, edhe fanellat tërhiqen nga tregu

Lufta frontale që i kanë shpallur njëri-tjetrit, PSG dhe Kylian Mbappe, ka marrë një hov të ri.

Kubi francez ka hequr muralen e lojtarit nga Parc des Princes dhe ka urdhëruar tërheqjen e fanellës së numrit 7 nga të gjitha dyqanet zyrtare duke ndaluar shitjen e saj.

Ky është kapitulli i ri i përplasjes së gjithanshme mes lojtarit dhe klubit.

Mbappé aktualisht po stërvitet vetëm me të ashtuquajturit “të padëshiruarit” e PSG dhe është jashtë skuadrës në pritje të zhvillimeve në tregun e transferimeve.

Futbollistit i skadoi opsioni i rinovimit të kontratës më 31 korrik dhe refuzoi ofertën e pabesueshme nga Liga saudite, pasi këmbëngul se do të qëndroj në Paris dhe do të largohet falas në vitin 2024.

Sakaq, PSG kërkon 250 milionë euro për yllin francez, një shifër që për momentin askush në Evropë nuk ka ndërmend ta paguajë.

Real Madridi, klubi i përcaktuar për të ardhmen e Mbappe, pret me dinakëri dhe i vetëdijshëm për faktin se sa më shumë të kalojë koha, aq më shumë pretendimet pariziane do të duhet të zbehen.

Në fakt, një lamtumirë me zero lekë nuk mendohet absolutisht nga Al-Khelaifi dhe gjasat janë që deri në fund të merkatos 24-vjeçari francez të përfundojë në Madrid, me një çmim të negociueshëm.