Tjetër goditje teatrale në përplasjen Messi-Barcelona. Jorge Messi i ka dërguar një letër këtë mëngjes Javier Tebas, president i La Liga-s, duke hedhur poshtë deklaratën e këtij institucioni, bërë të dielën e kaluar, në lidhje me kontratën e Leo Messit me Barcelonën. Sipas “qeverisë” së futbollit spanjoll, kluazola 700 milionë euroshe është në fuqi deri qershorin e vitit të ardhshëm, ndaj ylli argjentinas nuk mund të largohet nga “Camp Nou” aktualisht, aq më tepër falas.
Në deklaratë, babai-agjent Jorge Messi shpjegoi se klauzola e lirimit prej 700 milion euro nuk është më e vlefshme sepse lojtari e ushtroi klauzolën për të zgjidhur në mënyrë të njëanshme marrëveshjen brenda kohës së caktuar.
Shkresa
“D. Jorge Horacio Messi, si përfaqësues i futbollistit profesionist, Lionel Andrés Messi, në përgjigje të deklaratës së botuar më 30 gusht 2020 nga Liga Kombëtare e Futbollit Profesional në Spanjë, në lidhje me situatën kontraktuale të lojtarit, pavarësisht nga anësia e saj e dukshme për rolin që përfaqëson një institucion i tillë në mbrojtje të interesave të bashkëpunëtorëve të vet (klubet e futbollit), duhet të deklarojë se:
1. Ne nuk e dimë se cila kontratë është ajo që ata kanë analizuar dhe cilat janë bazat, në bazë të cilave konkludojnë se ekziston një “klauzolë përfundimi” e zbatueshme, në rast se lojtari vendos të kërkojë përfundimin e njëanshëm të së njëjtës (kontratë), me efekt nga fundi i sezonit sportiv 2019-2020.
2. Kjo është për shkak të një gabimi të dukshëm nga ana juaj. Kështu, siç thuhet fjalë për fjalë në pikën 8.2.3.6 të kontratës së nënshkruar midis klubit dhe lojtarit, “ky kompensim nuk do të zbatohet, kur përfundimi i kontratës me vendim të njëanshëm të lojtarit hyn në fuqi nga fundi i sezonit sportiv 2019-2020”. Pa paragjykuar të drejtat e tjera që përfshihen në kontratë dhe që ju i hiqni, është e qartë se dëmshpërblimi prej 700 milionë eurosh, i parashikuar në klauzolën e mëparshme 8.2.3.5, nuk zbatohet aspak”, thuhet në shkresën e Messi-t.
Përgjigjja e La Liga
Sakaq, ka ardhur përgjigjja e La Liga. “Interpretimi që i bën Messi kontratës është jashtë konteksti dhe larg kuptimit të saj fjalë për fjalë. Për këtë arsye, La Liga konfirmon qëndrimin e saj shprehur para pak ditësh”.