Gazetarja Emi Kalaja përcolli këtë të enjte detaje për ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e shkuar në fshatin Stom Golem të Shkodrës, ku mbeti i vrarë 74-vjeçari, Lulash Qepuri.
Kështu, sipas gazetares, të dhënat e fundit flasin që viktima është qëlluar me pistoletë, ndërkohë që ka qenë i biri që i është kundërpërgjigjur autorit të kësaj ngjarjeje me shotgun.
Autori ka qenë i maskuar dhe në momentin që i është afruar lokalit të Lulash Qepurit, ka hapur zjarr në drejtim të tij. Kjo ka sjellë edhe reagimin e djalit të viktimës, i cili me të parë situatën, ka shkuar me shpejtësi brenda lokalit duke marrë armën, megjithatë ai nuk ka mundur ta neutralizojë atentatorin. Menjëherë më pas, djali i viktimës ka hedhur armën në tokë dhe ka njoftuar policinë. Në vendin e ngjarjes, autoritetet kanë gjetur plot 26 gëzhoja.
Sa i takon të kaluarës së Lulash Qepurit, gazetarja thotë se në vitin 2011 ai ka qenë i arrestuar nga policia e Shkodrës për armëmbajtje pa leje dhe municione luftarake. Ndërkohë që në vitin 2018 po në të njëjtin lokal, klientët u kapën teksa konsumonin lëndë narkotike. Megjithatë momentalisht, mbetet e paqartë nëse vrasja lidhet me të shkuarën e viktimës apo bëhet fjalë për një konflikt banal.
I biri i viktimës, i cili ndodhet i shoqëruar në polici, në dëshminë e tij mësohet të jetë shprehur se autori ka hapur zjarr në momentin që ka zbritur nga makina. Ai nuk ka mundur ta dallojë për shkak se ka qenë i maskuar, ndërsa ka mohuar që familja e tij të ketë konflikte me njeri.
Megjithatë, ndër pistat kryesore mbetet e shkuara e viktimës. Policia mësohet se përveç provave në vendngjarje ka marrë edhe dëshmitë e personave që ndodheshin në lokal, të cilët fatmirësisht nuk pësuan dëmtime. Po ashtu, autoritetet hetimore kanë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë në zonë./Burimi: Tv Klan