Hamasi është i interesuar për ndalje të përballjes së ashpër me ushtrinë izraelit. Një zyrtar i lartë i militantëve të Gazës, tha se pret që brenda një ose dy ditëve të arrihet armëpushimi. Por kryeministri Benjamin Netanjahu e bëri të qartë se është i vendosur të vijojë me sulmet derisa të rikthehet qetësia dhe siguria për shtetasit izraelit.
“Jam i vendosur të vazhdojë këtë operacion deri sa objektivi të arrihet; pra rikthimi i qetësisë dhe sigurisë për ju, qytetarët izraelitë”, u shpreh ai.
Deklarata e Netanjahut erdhi pas thirrjes së aleatit më të ngushtë, Shteteve të Bashkuara për të ulur menjëherë tensionet me Gazën, në atë që u pa si ndërhyrja më e fortë e presidentit Joe Biden lidhur me konfliktin. Por izraelitët nuk e shohin armëpushimin si opsion, momentalisht.
“Nuk jemi gati për armëpushim. Raketat na godasin çdo ditë. Çdo muaj Hamasi vendos të na sulmojë, e më pas kërkon armëpushim”, deklaroi një përfaqësues ushtarak izraelit.
Megjithatë, një burim i sigurisë egjiptiane tha se palët kishin rënë dakord për një armëpushim ne parim, por se detajet po negociohen në fshehtësi. Mbi 100 sulme ajrore shënjestruan infrastrukturën e Hamasit në veri të Gazës, në orët e para të së enjtes, ndërsa militantët palestinezë u kundërpërgjigjën me raketa.
Të paktën 227 persona, përfshirë 100 gra e fëmijë janë vrarë në Gaza, sipas autoriteteve atje. Ushtria e Tel Avivit pretendon se 150 ishin militantë.