“Ne i kemi rezistuar dhe i kemi zmbrapsur me sukses sulmet e armikut. Luftimet vazhdojnë në qytete dhe rajone të ndryshme të vendit tonë”. Kështu është shprehur në video-mesazhin e fundit drejtuar ukrainasve të shtunën, presidenti Volodymyr Zelensky i cili u shpreh i bindur në fitore.
“Ne duhet ta ndalojmë këtë luftë. Ne mund të jetojmë në paqe së bashku, globalisht, si njerëz. Ushtria jonë, garda jonë kombëtare, policia jonë kombëtare, mbrojtja e territorit tonë, shërbimi special, shtetas të Ukrainës, ju lutemi vazhdoni. Ne do të fitojmë. Lavdi Ukrainës”.
Ai tha se kryeqyteti Kiev dhe qytetet kyçe rreth tij ishin ende nën kontrollin e ushtrisë dhe u bëri thirrje ukrainasve që t’i rezistojnë pushtimit rus.
“Ne u kemi prishur planet. Ata nuk kanë asnjë avantazh ndaj nesh”, shtoi presidenti ukrainas, i cili theksoi se Rusia kishte goditur zonat e banuara duke përdorur raketa.
“Shkatërrimi nga raketat dhe artileria e ndërtesave të banimit është argumenti përfundimtar që bota të jetë pranë nesh në ndalimin e pushtimit të pushtuesve”.
“Dua që të gjithë në Rusi të më dëgjojnë. Të gjithë. Qindra ushtarë të kapur që janë këtu në Ukrainë nuk e dinë pse u dërguan këtu për të vrarë njerëz ose për t’u vrarë. Njerëzit duhet t’i tregojnë qeverisë pse lufta duhet të ndalet, më shumë njerëz nga vendi juaj do të qëndrojnë gjallë”, përfundoi ai.