Politika e Luginës së Preshevës vendosi të bëhet bashkë për zgjedhjet e afërta në Serbi, duke e ndërmarrë këtë akt në mes të Tiranës.
Ishte ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj, ai që duke patur në krah aktorët kryesorë të Luginës, shpalli të quajturën “Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e Bashkuar”, ku nëpërmjet marrëveshjes së nënshkruar, për herë të parë, Partia për Veprim Demokratik, Alternativa për Ndryshim, Partia Demokratike, Lëvizja Reforma në PDSH dhe Lëvizja e Progresit Demokratik, do të veprojnë me një program, e kjo për një prezencë më të madhe në parlamentin serb.
“Kjo marrëveshje është unike nëse shihet në rrafshin e zhvillimeve në tre vitet e fundit në Luginën e Preshevës. Sot për herë të parë në pluralizmin politik, disa parti të tjera kanë vendosur të bëhen bashkë. Nga pikëpamja kombëtar, sot partitë kanë vendosur të tejkalojnë interesa personale duke u bërë një shembull i bashkimit të shqiptarëve. Ato janë bërë bashkë për të gjetur gjuhën e përbashkët për të mirën e shqiptarëve”, tha Cakaj.
Sa i takon funksionit që do të ketë kjo marrëveshje Ministri në Detyrë Cakaj u shpreh: “Kjo listë do të ketë funksion të pazëvendësueshëm në ngritjen e një vargu të gjerë shqetësimesh me të cilat ballafaqohen shqiptarët e Luginës, duke filluar nga arsimi në shqip, përdorimi i lirë e i hapur i simboleve kombëtare, si dhe rritja e përfaqësimit në institucionet shtetërore. Bashkimi sot iu shërben qytetarëve të Luginës, por edhe shqiptarëve kudo që janë”.
Në përfundim të takimit, palët nënshkruan “Marrëveshjen për krijimin e listës së përbashkët zgjedhore të subjekteve politike shqiptare për zgjedhjet parlamentare në Republikën e Serbisë”.
Kujtojmë se pak vite më parë, kryeministri Rama do bënte bashkë partitë shqiptare në Mal të Zi, me anë të së ashtuquajturës “Platforma e Tiranës”, e cila atë kohë nisi të sulmohej ashpër nga qeveria e Gruevskit.