A2 CNN ka mësuar ekskluzivisht se pas largimit të Christine Hohmann, Luigi Soreca do të rikthehet sërish në Shqipëri, si ambasador komanduar i Bashkimit Europian. Lajmi është konfirmuar zyrtarisht nga Komisioni Europian për gazetaren Fjorela Beleshi. Në përgjigjën e dhënë, thuhet se Soreca do të marrë detyrën në datën 1 shtator dhe do të drejtojë Delegacionin e BE-së në Tiranë deri në ardhjen e Shefit të ri të Delegacionit.
“Nga data 1 shtator, ambasadori Luigi Soreca do të drejtojë Delegacionin e BE-së në Tiranë deri në ardhjen e Shefit të ri të Delegacionit.
Përvoja dhe njohuritë e tij për vendin dhe rajonin do ta lejojnë atë të përfaqësojë Bashkimin Evropian në ngjarjet e ardhshme në kontekstin e procesit të zgjerimit
Dëshirojmë të falënderojmë ambasadoren Christine Hohmann për punën dhe kontributin e saj të jashtëzakonshëm në çuarjen përpara të procesit të anëtarësimit në BE për Shqipërinë”, thuhet në përgjigjen për A2 CNN.
Eksperienca e tij ishte kyçe për rikthimin e tij në Tiranë, pasi Soreca ka shërbyer si ambasador në vendin tonë për tre vite e shtatë muaj. Ai erdhi në Tiranë në shtator të vitit 2018, për t’u larguar në prill të 2022.
Diplomati rimerr këtë post pas largimit të Hohmann, e cila doli nga shërbimi diplomatik i Bashkimit Evropian, për t’u rikthyer si pjesë e diplomacisë së Berlinit në Irak./ A2 CNN